Ditë më parë Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën e gjelbër privatizimit të Telekomit. Madje Ministria e Zhvillimit Ekonomik synon që deri në fund të mandatit qeverisës ta ‘shpëtojë telekomin nga falimentimi’, e kjo sipas tyre arrihet të bëhet nëpërmjet privatizimit. Që një kohë kompani të ndryshme të njohura ndërkombëtarisht kanë filluar të interesohen për blerjen e tij. Por, Gazeta Express merr vesh se të hënën kompania amerikane “Artillery One” dhe Telekomi i Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje të konfidencialitetit për “analizë financiare”
Kjo marrëveshje e nënshkruar ia mundëson kompanisë në fjalë të fillojë procesin e analizës financiare në mënyrë që më pas të bëjë ofertën për privatizim të Telekomit.
“Të hënën Artillery One dhe Telekomi i Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje të konfidencialitetit, e cila ia mundeson kompanisë të fillojë procesin e analizës financiare në mënyrë që më pastaj të bëjë ofertën për privatizim të Telekomit”, tha një burim i besueshëm i Gazetës Express.
Në fotografi shihet George Cannon, Drejtor Menaxhues në Artillery One, dhe Bedri Istrefi, U.D. Kryeshef i Telekomit.
Përveç “Artillery One” jave më parë nga MZHE thanë se për Telekomin janë interesuar kompani nga Franca, Çekia, Austria, Amerika etj.
“Që nga marrja e mandatit nga Ministri Lluka, kompani të njohura në fushën e telekomunikacionit si Orange (France), Rockaway (Republikë Ceke), A1 (Austri) dhe se fundmi Artillery One (USA) kanë treguar interes me theks; për gjendjen financiare të Telekomi i Kosovës Sh.A., strukturën organizative dhe asaj të kapitalit, asetet ekonomike dhe ato të pronësisë intelektuale pronë e ndërmarrjes”, thanë nga kabineti i Valdrin Llukës.