Autoriteti i Konkurrencës thotë se taksa 100% ka çrregulluar tregun vendor

Vendosja e taksës 100% nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe dhe ato të Bosnjës, përveç që ndikoi në marrëdhëniet e vendit tonë me partnerë ndërkombëtarë, ndikim pati edhe tek ngritja e çmimeve në tregun vendor.

Ditë më parë, Koha Ditore pati raportuar për rritjen e çmimit për produktet bazike, siç janë qumështi, djathi, vezët, sheqeri, pemët dhe perimet, e që qytetarët në këtë periudhë kanë paguar 3% më shumë se janarin e vitit të kaluar.

Se taksa ka ndikuar në çrregullim të tregut vendor e ka thënë edhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, i cili ndër të tjera ka potencuar se AKK-ja ka ngritur një grup punues të hetuesve për të monitoruar sjelljet e ndërmarrjeve të cilat mund të shkelin Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke ngritur çmimet.

Reklama e sponzorizuar

“Është më se evidente që masa e vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës në 100% ndaj produkteve importuese, ka filluar t’i ç’rregulloj tregjet përkatëse, dhe shpresoj që iniciuesit kanë hartuar ndonjë plan veprimi dhe ka bërë konsultime paraprake adekuate me shoqatat dhe odat e biznesit. Po ashtu ne si institucion kemi ngritur një grup punues të hetueseve për monitorimin e sjelljeve të ndërmarrjeve që potencialisht mund të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, tha ai për Koha.net

Prestreshi ka thënë se ngritja e çmimeve ka qenë e pritshme dhe se ndërmarrjet po sillen sipas rrethanave.

“Rritja e çmimit të produkteve nga ndërmarrjet pas vënies së taksës 100% nga Qeveria e Kosovës nga këndvështrimi ekonomik, ka qenë e pritur. Në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, kjo është tërësisht normale sepse çdo ndërmarrje në ekonomi të tregut, kur qeveritë marrin masa mbrojtëse ndaj produkteve importuese ndaj shteteve të caktuara, sillet sipas rrethanave të reja të paraqitura në treg”, ka thënë ai.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit, ka mohuar se janë rritur çmimet pas vënies së taksës nga qeveria, derisa ka shtuar se diskutimet për rritje të çmimeve po nxiten nga ithtarët e heqjes së taksës dhe si të tilla janë të pabaza.

“Sipas Statistikave Zyrtare (ASK), çmimet me pakicë në nëntor të vitit 2018 janë rritë 0,7%, kurse në dhjetor 0,8% në krahasim me mesataren vjetore të vitit 2015. Në qoftë se marrim parasysh normën e inflacionit në periudhën 2015-2018 del se çmimet reale në dy muajt e fundit të vitit 2018 për të cilat kemi të dhëna zyrtare, jo vetëm që nuk janë rritur por realisht kanë pësuar rënie. Mendoj qe diskutimet rreth ngritjes së çmimeve pas vendosjes së taksës nuk kanë kurrfarë baze reale por janë të nxitura nga ithtarët e heqjes ose pezullimit të taksës. Pra, kërkojnë argumente për t’iu kundërvu atyre që këmbëngulin në mbajtjen e taksës ndaj Serbisë”, tha ai.

Sipas tij, të vetmit që kanë përfituar nga rasti janë kompanitë e bukës të cilët pas vënies së taksës kanë rritur çmimet.

“Duhet të tregojmë se importi total nga Serbia para vendosjes së taksës ka qene vetëm 11% e importit të përgjithshëm vjetor të Kosovës. Kjo do të thotë se mungesa e përkohshme e ndonjë artikulli në treg nuk mund të ndikojë ndjeshëm në ngritjen e çmimeve, sidomos të artikujve të konsumit. Fillimisht është vërejt një ngritje e çmimit të bukës, ngritje e cila nuk ka qene e ndikuar nga mungesa e miellit por nga kompani të papërgjegjshme të cilat kanë menduar të përfitojnë nga rasti”, tha Shatri, shkruan Koha.net.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se rritja e çmimeve nga kompanitë vendore është bërë për shkak se këto të fundit kanë gjetur zëvendësim të produkteve serbe te kompanitë në Evropë dhe se transporti i tyre është më i shtrenjtë.

“Duke e ditur se pas hyrjes në fuqi të vendimit për tarifa, kompanitë kanë gjetur zëvendësim për të njëjtat produkte nga furnitorë të tjerë rajonalë dhe evropianë, është e natyrshme që për shkak të kostove më të larta të transportit, të shohim ngritje të çmimeve në treg, sidomos kur produktet zëvendësuese vijnë nga furnitorë që ndodhen në distanca më të largëta gjeografike. Në rast se ngritja e çmimeve është rezultat i abuzimit nga ana e ndërmarrjeve me pozitën e tyre dominuese, atëherë do të ishte e nevojshme që autoritetet përkatëse që mbrojnë konkurrencën të ndërhyjnë për t’i dhënë fund abuzimeve të mundshme. Megjithatë, personalisht mendoj, se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me abuzim nga ana e kompanive tregtare.

Zeka ka thënë se Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar shmangien nga vendimet që pengojnë tregtinë e lirë sepse sipas tij vendimet e tilla ndikojnë në rritjen e çmimeve.

“Oda Amerikane beson fuqishëm se tregtia e lirë është një faktor i rëndësishëm në të mundësuarit e rritjes ekonomike përmes efikasitetit dhe inovacionit të shtuar, mundësive të eksportit si dhe cilësisë më të lartë të mallrave. Për këto arsye, por edhe për shkak se konsiderojmë se barrierat tarifore dhe jotarifore janë jashtë frymës së marrëveshjeve për tregti të lirë që Kosova ka nënshkruar, pavarësisht argumenteve që arsyetojnë veprimet e tilla, Oda Amerikane ka kërkuar shmangien nga vendimet që pengojnë tregtinë e lirë në kontekst rajonal dhe më gjerë”, ka thënë Zeka për Koha.net.

Përveç rritjes së çmimeve, taksa 100% ka ndikuar edhe në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë e sidomos me SHBA-në si dhe ka krijuar përçarje në spektrin e brendshëm politik. Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar që taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia, derisa kjo e fundit ka kushtëzuar dialogun me heqje të taksës.