Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se ky subjekt nuk ka propozuar mbylljen e lojërave të fatit për të përfituar elektoralisht.
Sipas saj gjendja ka qenë kritike, të cilën e ka përshkruar me fjalët “u mbush kupa”.
“LDK e ka marrë këtë vendim jo duke u bazuar në dy rastet e fundit të vrasjeve por edhe shumë statistika. Një numër i vetëvrasjeve është shkaktuar për shkak të tyre”.
“Me rastin e mbylljes së lojërave të fatit në Shqipëri nisi zhvendosja e kompanive dhe aparateve në Kosovë. Në Kosovë më shumë ka aparate sesa vendbanime”, ka thënë Bajrami në Klan Kosova.
Sipas saj gjysma e sektorit të lojërave të fatit në Kosovë ka operuar jashtëligjshëm.
“Personat që luajnë në lojërat e fatit krijojnë varshmëri. Ka njerëz që punojnë në ndërtimtari 15 euro ditën dhe ato mjete i lënë nëpër bastore. Ne nuk kemi dashtë të përfitojmë nga asnjë situatë dhe nuk e kemi shfrytëzuar. Nëse do të qitej në referendum do të votohej për mbylljen e tyre. Aty nuk ka “win-win” situata”.
“Ka qenë strategji në Qeverinë Mustafa që të ndryshohet ligji. Tash rezolutën dhe vendimin e Qeverisë nuk mund ta shpjegojmë duke shikuar nga perspektiva lojërat e fatit. Ka plot vende që i kanë pasur të lejuara që për shkak të rrethanave i kanë mbyllur”.