Kosova rrezikon t’i humbasë edhe 11 milionë euro tjera nga BE-ja

Kosova, përveç se i ka humbur 43 milionë euro nga Bashkimi Evropian, rrezikon t’i humbasë edhe 11 milionë të tjera për shkak të mos përmbushjes së zotimeve që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim – Asociim.

Në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK) thonë se 43.4 milionë euro janë të konfirmuara se kanë humbur, ndërsa pritet që të konfirmohet edhe për 11 milionë të tjera.

Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), duke argumentuar humbjet me raportin e Komisionit Evropian, thotë për KosovaPress se Ministria e Integrimeve Evropiane ka shënuar rënie të zbatimit në përmbushjen e masave të MSA nga 715 masa në 361.

Reklama e sponzorizuar

Shasha thotë se nga 22 prioritete të Agjendës për Reforma Evropiane vetëm 5 prioritete janë tërësisht të përmbushura pas dy viteve zbatimi, ndërsa, duke i marrë këto dy indikatorë, në nivelin e ulët të zbatimit të programit për MSA-në, ka një mungesë të përkushtimit politik për të shtyrë përpara reformat në rrugën tonë integruese.

Mos zbatimi i këtyre reformave, sipas Shashës është duke sjellë edhe kosto financiare dhe në këtë drejtim kostoja e parë, është në kuadër të marrëveshjes të ratifikuar në kuvend të marrëveshjes direkte buxhetore IPA-2016 për reforma të administratës publike.

“Në kuadër të asaj marrëveshje ne kemi ndërmarrë obligim t’i zbatojmë një sërë reformash, respektivisht 11 nga këto në vitin 2018. Dhe bazuar në monitorimin tonë që institucionet kanë humbur 11 milionë euro deri më sot në mungesë të zbatimit të këtyre reformave, sa për ilustrim në vitin 2018 sipas marrëveshjes është dashur të bëhet pagesa, e cila qëndron në marrëveshjen në pikën 2.2 është dashur të bëhet pagesa 5.5 milionë euro Kosovës në vitin 2018, dhe kjo pagesë nuk është bërë asnjë herë. Rrjedhimisht këto fonde janë të humbura. Ndërsa 5.5 milionë euro të tjera janë të lidhura me zbatimin e 11 indikatorëve, të cilat ishte dashur të përmbushen deri në fund të vitit 2018, ku në monitorimin tonë nga 11 vetëm 2 janë përmbushur, 9 të tjera janë të pa përmbushura dhe rrjedhimisht kjo shton një kosto të re prej total në 11 milionë eurove të humbura në kuadër të mbështetjes direkte buxhetore” , thotë Shasha.

Përveç këtyre mjeteve, Shasha thotë se Kosova ka humbur edhe 43 milionë euro të tjera për periudhën financiare 2014-2020 për shkak të performancës së dobët të institucioneve, mungesës së reformave, si dhe mungesës së vullnetit politik për zbatimin e reformave.

Përderisa, Kosova po shkon drejt humbjeve financiare në kuadër të procesit integrues, Serbia dhe Mali i Zi, kanë rritje të fondeve nga Bashkimi Evropian.

“Për shkak të performancës së dobët në absorbimin e fondeve të BE-së… Kosova ka humbur përveç këtyre mjeteve ka humbur edhe 43 milionë euro të tjera për periudhën financiare 2014-2020. Derisa Kosova ka humbur 43.4 milionë euro, Serbia dhe Mali i Zi kanë arritur të rrisin fondet e tyre për 31 milionë euro në rastin e Serbisë, 8.6 milionë Mali i Zi. Prandaj, çfarë po shohim është një trend negative në procesin integrues sa I përket fondeve të BE-së, ku kemi qoftë në kuadër të mbështetjes direkte buxhetore”, deklaron Shasha.

Për dështimin e institucioneve në zbatimit të masave të dala në bazë të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, kanë konfirmuar edhe monitorues të institucioneve të Kosovës, siç është Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Hulumtuesi në KDI Artan Murati ka thënë se rreth 50 përqind e obligimeve të cilat dalin nga MSA dhe ERA nuk janë përmbushur, që ka rezultuar me humbjen e fondeve të mëdha nga Bashkimi Evropian.

“Më shumë se gjysma e obligime të cilat dalin prej MSA-së dhe ERA-s nuk janë përmbushur ndonëse ka tendenca në disa raste që qohen përpara… Në anën tjetër për shkak të mos miratimit në kohë edhe të disa marrëveshjeve me BE-në, Kosova ka humbur edhe fonde të mëdha në fusha të ndryshme., mundem me thënë se ne kemi humbur komplet një periudhë aplikuese në Erasmus plus”, ka thënë Murati.

Për humbjet e mjeteve financiare të dedikuara për Kosovë nga BE, kanë pranuar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të hënën gjatë raportimit të ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ku kjo e fundit ka mohuar një gjë të tillë, përkundrazi ka thënë se ka rritje të fondeve.

Ndryshe, prioritetet e përcaktuara për financim janë: demokracia dhe qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe drejtat themelore, mjedisi, ndryshimet klimatike, energjia, rritja e konkurrueshmerisë, inovacioni, bujqësia dhe zhvillim rural, arsimi, punësimi dhe politikat sociale.