Hiç më pak se 21 herë do të shkonte nga Kosova në Gjermani, me veturë zyrtare deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simic, me aq derivate sa ka shpenzuar për një vit nga buxheti i shtetit.
Gazeta inFokus ka gjetur se me 5 mijë e 304 litra derivate, Simiç për një vit ka bërë plot 38 mijë e 837 kilometra rrugë.
Veturën zyrtare, Simiç e ka përdorur si përfaqësues i Listës Serbe në kryesinë e Kuvendit dhe çdo litër i harxhuar është paguar me paratë e shtetit të Kosovës, të cilin ai deklaron se nuk e njeh.
Simië është anëtari i kryesisë që ka harxhuar më së shumti derivate ndërsa për dallim nga kolegët e tij deputet ka bërë më pak kilometra.
Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala ia kalon Simicit për kilometrat e kaluara.
Shala ia bëri veturës zyrtare 42 mijë e 405 kilometra.
Për to ai harxhoi 4,536.55 litra derivate.
Edhe Myfera Sinik, deputetja që përfaqëson grupin e pakicave 6+ në kryesinë e Kuvendit, po del se nuk i ‘zbriti’ veturës zyrtare.
Me të, Sinik i bëri plot 39 mijë e 960 kilometra.
E për to harxhoi 4 mijë 424 litra derivate.
Veturën zyrtare shumë më pak se këta, përgjatë vitit 2018 e ka përdorur nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.
Me veturë zyrtare, Haliti i bëri 19 mijë e 954 kilometra. Për këto kilometra, ai harxhoi 2 mijë e 569 litra derivate.
Gazeta inFokus ka nisur t’i publikojë shpenzimet e Kuvendit të Kosovës për vitin 2018.
Diçka më shumë se 9.5 milionë euro ishte buxheti i këtij institucioni për këtë vit.
Pjesa më e madhe e këtij buxheti sikur edhe vitet e kaluara ka shkuar për paga e mëditje.
Nga këto 9.5 milionë euro, u shpenzuan rreth 8.8 milionë euro.
Kuvendi ia doli që ta shpenzojë të gjithë buxhetin që e kishte planifikuar për paga e mëditje.
Rreth 6.8 milionë euro që ishin ndarë për këtë punë, e të gjitha janë shpenzuar.
Kategoria e tretë ku Kuvendi shpenzoi shumë para, ishte për mallra e shërbime.
Nga rreth 2.2 milionë euro, u shpenzuan 1.5 milionë.
Më pak para u shpenzuan për subvencione e transfere.
Prej rreth 198 mijë eurove të planifikuara për këtë gjë, u shpenzuan rreth 179 mijë euro.
Kuvendi kishte planifikuar që të harxhonte shumë para në shpenzime kapitale.
Nga rreth 1.4 milionë euro që i kishte kërkuar nga Qeveria, Kuvendi i ka marrë vetëm 195 mijë e 800 euro.
Nga këto para, janë shpenzuar 154 mijë euro.