Në kontratën bazë mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Bechtel-Enka, për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, parashihen edhe punët shtesë që mund t’i dalin kompanisë gjatë ndërtimit të autostradës. Deri në 10 për qind të totalit të vlerës së kontratës, mund të shkojë kostoja për punët shtesë.
Vetë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, për media pati thënë se në bazë të kësaj, varësisht prej vlerësimit se sa ka qenë vëllimi i punëve shtesë, kostoja mund të shkojë deri në 60 milionë euro, meqë vlera në total e kontratës është rreth 600 milionë euro, shkruan Buletini Ekonomik.
Por paraardhësi i Lekajt në këtë ministri, Lutfi Zharku, i ka thënë Buletinit Ekonomik, se në kohën sa ka qenë duke e drejtuar këtë ministri janë marrë edhe me këtë dispozitë të kontratës. Vlerësimi i ekipit të tij ka qenë se për punët shtesë, bazuar në specifikat e terrenit, maksimumi mund të paguhen 30 milionë euro, pra vetëm gjysma asaj që parashihet me kontratë.
“10 për qindshi për punët shtesë është në përputhje me Ligjin e Prokurimit. Sa kam qenë duke e drejtuar ministrinë në parim kemi vlerësu se kostoja për punët shtesë nuk mund të kalojë më shumë se 30 milionë euro”, ka thënë Zharku.
Kur është pyetur se a mund t’i kenë dalur punë shtesë kompanisë, Zharku, bazuar edhe në kontratat vendore, ka thënë se zakonisht në shumicën e rasteve ka kosto edhe për punët që nuk parashihen me kontratë.
Por nuk ka pranuar të lëshohet më shumë sa i përket autostradës “Arbën Xhaferi”.
Këtë çështje për Buletinin Ekonomik e ka komentuar edhe deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se për këtë dispozitë në kontratë, ka dëgjuar në kohën sa ka qenë duke e drejtuar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
“Ajo që është me rëndësi këtu është se për këtë 10 përqindshin deri ku mund të shkojë kostoja për punët shtesë, nuk ka nevojë për procedura të prokurimit fare”, ka thënë Bajrami.
Gazeta ka drejtuar pyetje edhe tek kompania Bechtel-Enka, rreth asaj se a kanë një vlerësim preliminar se sa mund të jetë vëllimi i punëve shtesë dhe kostoja e përafërt. Zëdhënësja Ela Ruçi nuk i është përgjigjur thirrjeve të gazetës.
Ndryshe, këtë çështje e pati bërë publike vetë ministri Pal Lekaj, duke paraljmëruar se krahas 53 milionëshit për vonesa, Autostrada “Arbën Xhaferi” mund t’ia gëlltisë shtetit të Kosovës edhe 60 milionë euro tjera.
“Mund të ketë pagesa shtesë për Bechtelin, diku 10 për qind e totalit të kostos e parasheh kontrata për punët shtesë. Kosto është 600 milionë, andaj 10 për qindshi mund të shkojë deri në 60 milionë euro”, pati thënë Lekaj, duke shtuar se a ka pasur punë shtesë mund të dihet vetëm pas vlerësimeve në teren të këshilltarit të transaksionit.
Ndryshe, jo shumë muaj më parë, Qeveria e Kosovës u detyrua të ndajë për Bechtelin 53 milionë euro si formë penaltish, për shkak të vonesave në pagesa. /Buletini Ekonomik/