Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë gjatë ditës së sotme tha të jetë e zhgënjyer me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të datës 28 shkurt, për mosvotimin e asnjërit prej kandidatëve të rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të rekrutimit në pozitën e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Dështimi i deputetëve të votojnë njërin nga kandidatët e rekomanduar, sipas Ambasadës Britanike, ka rezultuar me rishpalljen e konkursit për këtë pozitë.
“Andaj, ne publikisht njoftojmë se projekti ynë nuk do të mbështesë ripërsëritjen e procesit rekrutues për pozitën e njëjtë të kryesuesit të Bordit të ZRRE-së”, thuhej në njoftimin e kësaj ambasade.
Ndërkaq, mbështetje këtij vendimi i ka dhënë edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.
“Mbështes plotësisht përpjekjen e Britanisë së Madhe për punësime meritore – kjo çështje është qenësore për të garantuar prosperitet për Kosovën”, ka shkruar Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, në profilin e tij zyrtar në Twitter.