Romët në Kosovë përballen me pabarazi ekstreme

Krahasuar me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka më pak pabarazi dhe hendekë etnikë për komunitetet rome, por qasja e këtyre komuniteteve në shërbime dhe mundësi ekonomike është mjaft e ulët, u tha ne prezentimin ne Prishtine te raportit të Bankës Botërore të titulluar Thyerja e Ciklit të Përjashtimit të Romëve në Ballkanin Perëndimor.

“Kërkohet veprim kolektiv nga të gjitha palët e interesit për ta përmirësuar pozitën e romëve në Kosovë dhe pjesën tjetër të rajonit”, tha Carlos Silva-Jauregui, Menaxher i Departamentit për Varfërinë dhe Barazinë të Bankës Botërore.

Raporti konstaton se në Kosovë komuniteti rom përballet me pabarazi relativisht të ngushta etnike në regjistrimin parashkollor, gjithsesi qasja e tyre mbetet e ulët. Në të njëjtën kohë, u konstatua një mbulim shumë i ulët me sigurime shëndetësore mes romëve të margjinalizuar dhe fqinjëve të tyre jo-romë – më i ulëti në Ballkanin Perëndimor dhe që mbulon vetëm rreth 10 për qind të të dy grupeve. Gjithashtu, romët në Kosovë kanë tregues të dobët të tregut të punës, por kjo përputhet me performancën e dobët të punësimit në vend.

Reklama e sponzorizuar

“Hendekët mes romëve dhe fqinjëve të tyre jo-romë mbeten të gjerë, veçanërisht në arsim dhe pjesëmarrje në tregun e punës. Kjo është veçanërisht shqetësuese për shkak se hendekët janë mes romëve dhe fqinjëve jo-romë, domethënë familjeve dhe individëve që jetojnë brenda 300 metrave larg njëri tjetrit,” tha bashkë-autorja e raportit, Monica Robayo.

Raporti argumenton se ofrimi i mundësive të njëjta për romët si për popullsinë e përgjithshme shoqërohet me përfitime potenciale fiskale – siç janë të hyrat më të larta tatimore dhe shpenzimet më të ulëta të ndihmës sociale – dhe se përfshirja e romëve është ekonomi e mençur. 
“Romët janë popullatë e re, dhe ky fluks i të rinjve mund të shndërrohet në dividend demografik përmes investimeve të duhura në arsim dhe shërbime bazë,” thotë bashkë-autorja e raportit, Natalia Millan. “Mbyllja e hendekëve të konstatuar në fushat prioritare kërkon një agjendë më të gjerë të përfshirjes, e cila përmban politika specifike për romët gjatë gjithë ciklit jetësor, nga edukimi i hershëm i fëmijërisë tek qasja më e mirë në strehim e shërbime shëndetësore të përshtatshme dhe pjesëmarrja në tregun e punës”. 
Termi Romët është përdorur për t’iu referuar një numri të grupeve, përfshirë këtu Ashkalitë dhe Egjiptianët, pa mohuar specifikat e këtyre grupeve.
Pas prezentimit të raportit u zhvillua një diskutim për veprimet e nevojshme për të kaluar nga diagnostifikimi i situatës tek zbatimi, si dhe për rolin e qeverisë dhe partnerëve zhvillimorë në këtë drejtim, me panelistët: Gazmen Salijevic nga Roma Versitas Kosovo, Muhamet Arifi nga Balkan Sunflowers Kosova dhe Valbona Bogujevci nga Zyrae e UNDP në Kosovë.