Shoqëria civile e shqetësuar se pse nuk po hetohen shpenzimet e Thaçit për lobim

Përmes këtij reagimi, organizatat e shoqërisë civile, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), shprehin shqetësimin e tyre me indiferencën e vazhdueshme të institucioneve të drejtësisë karshi raportit të Komisionit Parlamentar për Hetimin e Shpenzimeve të Lobimit, mbi kontratat për lobim të nënshkruara nga Qeveria dhe Presidenca e Republikës së Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Duke pasur parasysh raportime të shumta rreth shumave enorme që po shpenzonin krerët e Insitucioneve, pa dhënë shpjegime rreth qëllimit të shfrytëzimit të tyre, Kuvendi i Republikës së Kosovës në mesin e vitit 2018 formoi Komisionin Parlamentar për Hetimin e Shpenzimeve të Lobimit. Ndonëse institucionet të cilat po hetoheshin – Presidenca dhe Qeveria – janë ligjërisht të obliguara që të ofrojnë të gjitha informatat e kërkuara nga Komisioni, ato nuk iu nënshtruan të gjitha kërkesave të Komisionit”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se gjatë procesit të raportimit disa herë nuk janë dorëzuar dokumentet e plota të kontratave dhe nuk janë ofruar detajet e kërkuara.

Reklama e sponzorizuar

“Për më tepër, Presidenti Thaçi nuk i është përgjigjur ftesës për të raportuar para Komisionit Hetimor. Pavarësisht këtyre vështirësive, raporti final i Komisioni arriti të vë në pah, se në disa raste, paratë e taksapaguesve kosovarë janë përdorur për nënshkrimin e kontratave të dyshimta, për qëllime dhe promovim individual të liderëve. Rrjedhimisht, Komisioni kishte gjetur se ka bazë për hetim të këtyre kontratave nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tre muaj pas nxjerrjes së këtij raporti, Prokuroria Speciale vazhdon të mos e bëjë të ditur nëse hetimet kanë filluar.

“Neglizhenca e institucioneve të drejtësisë për të hetuar veprime të dyshimta të krerëve politik të shtetit vetëm sa konfirmon besimin e ulët që qytetarët kanë për këtë sistemin të drejtësisë. Sundimi i ligjit, drejtësia e pavarur dhe transparenca në shpenzimet e institucioneve publike janë parakushte për zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme në Kosovë, por të gjitha këto vazhdojnë të jenë të cenuara nga ndërhyrjet e skajshme politike. Meqë në këtë rast të tre këto elemente janë duke u shkelur në mënyrë të hapur, organizatat e shoqërisë civile edhe një herë i bëjnë thirrje Prokurorisë Speciale të trajtojë këtë rast seriozisht, duke përmbushur kështu obligimet ligjore që i ka”, thuhet në komunikatë.