Si është e mundur 1 km autostradë të kushtojë më shtrenjtë në Kosovë se në rajon?

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka arsyetuar para deputetëve investimet në autostrada, ndërkohë që këta të fundit kanë kërkuar të investohet në gjëra më elementare si dhe standard në ndërtimin e autostradave.

Derisa Lekaj tha se Kosova është lider në rajon, ai mori kritika për investimet e shumta që po bëhen në autostrada, pasi që, siç thanë ata, vendi ka nevojë për investime më parësore.

Ndër çështjet që ngritën deputetët ishin edhe arsyeshmëria e autostradave që po ndërtohen, 53 milionët për Bechtel-Enka, si dhe rreth çmimeve të ndryshme të autostradave.

Reklama e sponzorizuar

Kështu, më e zëshmja ishte deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se është e çuditshme se si një kilometër autostradë në një territor mund të kushtojë më pak e në një territor tjetër shumë më shtrenjtë.

“Besoj se duhet të vendoset një lloj standardi sepse në fund të fundit të gjitha janë me një material”, u shpreh ajo, raporton Ksp.

Ajo ka kërkuar sqarime për 53 milionët që Qeveria e Kosovës duhet të paguajë për kompaninë Bechtel-Enka, derisa tha se sipas informacioneve që ka, edhe Bechtel-Enka është vonuar, ndërkohë që nuk ka pasur dënim për kompaninë.

“Më intereson pse nuk është dënuar kompania, në qoftë se edhe ajo është vonuar sikurse që është vonuar Qeveria. Gjithashtu kemi informacione që rreth pagesës prej 53 milionëve, ekziston një opinion i kompanisë ‘Hill Internacional’, i cili mbikëqyr punët e kompanisë. A ekziston një opinion i tillë rreth pagesës së 53 milionëshit dhe a keni mundësi ta ndani këtë me deputetët e këtij komisioni”, tha ajo.

Bajrami tha po ashtu se para se të fillojnë projektet për lidhjen e disa qyteteve me autostrada, duhet të hartohet raporti i fizibilitetit në mënyrë që të sqarohet arsyeshmëria ekonomike për një gjë të tillë.

Ministri Lekaj shpjegoi se si do të jetë edhe puna e dënimit në vonesat e kompanisë Bechtel-Enka. Ai tha se kur të përfundojë i tërë projekti vlerësohen vonesat dhe shkaktarët e saj, në mënyrë që të caktohet dënimi. Teksa ka larguar edhe njëherë nga vetja përgjegjësinë për 53 milionë eurot e dhëna për Bechtel-Enkan.

“Kemi pasur obligim si Qeveri e Kosovës me qenë shumë korrekt. E dini, këtu e keni ministrin, ka debatuar shumë, ka rekomanduar Qeverinë, ka marrë vendim të komitetit ndërministror, Qeveria nuk e ka përfillë vendimin dhe ka mbetur pezull çështja. Unë jap përgjegjësi që të implementoj në përgjithësi atë që e kam në kontratë dhe që e kam nënshkruar me vendimin që e ka sjellë Qeveria. Keq e mirë, janë organet, dhe i ftoj që ta zgjidhin këtë punë njëherë e mirë”, tha ai.

Ndërsa, deputeti Liburn Aliu parashtroi pyetjen se si mund të lidhet Besia me Merdare, kur Serbia nuk e lidh Nishin me Merdare, ndërkohë që në Kosovë nuk po hyjnë mallra të Serbisë për shkak të taksës 100 për qind.

“Kjo është në interes drejtpërdrejtë vetëm të Serbisë në këtë rast. Pse? Sepse, po të ishte në interes të qytetarëve nuk do të kishim nevojë ta bënim sepse e kemi në ndërtim e sipër rrugën Prishtinë – Podujevë, me katër korsi. A po e shohim pak çka na ka ndodhë gjatë këtyre viteve, që shumicën dërrmuese të buxhetit e kemi fut në infrastrukturë? Po e shohim që jemi para kolapsit si shtet, jemi duke bankrotuar”, tha ai.

Për këtë, Lekaj tha se kanë përgjegjësi nga procesi i Berlinit që të përfundojnë këtë autostradë.

Deputetja Hykmete Bajrami shtroi edhe çështjen e monopolizimit në fushën e homologimit, ndërkohë që kjo siç tha ajo është bërë përmes udhëzimit administrativ. Ajo tha se ka shtete të cilat e rregullojnë këtë përmes institucioneve.

“Besoni, është për të ardhur keq sa qendra e kontrolleve teknike janë në Kosovë, dhe asnjëra nuk është në atë nivelin që duhet për me e pas. Nëse nisesh nga praktikat në rajon, të homologimit, merri dhe e sheh sa janë, Franca i ka dy. Por, ne nuk jemi francezë. Unë nuk ia kam dhënë monopolin, e kam gjet monopolin”, tha ajo.