BERZH shpall tender për ta ndihmuar privatizimin e Telekomit

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i është përgjigjur pozitivisht një kërkesë të Qeverisë së Kosovës, për ta ndihmuar këtë të fundit në procesin e privatizimit të Telekomit të Kosovës.

Përmes një thirrje publike, BERZH njofton se e mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e Telekomit, dhe se do ta ofrojë asistencën e saj deri në privatizim.

Fillimisht, BERZH ka inicuar procedurat për gjetjen e një kompanie konsulente që do të ofrojë ekspertizën e saj, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

“Qeveria ka kërkuar nga BERZH që të jetë si këshilltar i jashtëm për të këshilluar Qeverinë dhe për të hartuar një proces për privatizimin e Telekomit të Kosovës bazuar në një gamë të gjerë të përvojës ndërkombëtare. BERZH ka rënë dakord të financojë një konsulencë të tillë”, thuhet në komunikatën e publikuar nga BERZH me datën 3 prill 2019.

Tenderi i shpallur nga BERZH ka një vlerë prej 70 mijë euro. Ndërsa kompania konsulente që do të përzgjidhet pritet t’i ofojë këshilla për një proces të përgjithshëm privatizimi për Telekomin e Kosovës duke përfshirë: metodat e privatizimit, kornizën më të gjerë ligjore dhe institucionale, si dhe kohën e vetë procesit të privatizimit.

E gjithë procedura e ristrukturimit pritet të zgjasë deri në fund të këtij viti.

Ndërkohë, sipas asaj që kishte thënë më herët për media ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, BERZh përvec që ka shprehur gatishmërinë për të ofruar asistencë teknike në fazën e ristrukturimit, po ashtu edhe ofrimin e një kredie deri në 25 milionë euro si dhe hartimin e një dokumenti mbi hapat që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës për privatizimin e kësaj ndërmarrje. Ky dokument ndër të tjera bazohet në principet si në vijim: vlerësimin e drejtë të secilës ofertë për privatizim të Telekomit, përkushtim dhe transparencë në këtë proces, inkurajim të konkurrencës si dhe rishikim të proceseve dhe strukturave brenda Telekomit të Kosovës. /Buletini Ekonomik/