Bordi Ekzekutiv i BQK-së sot ka marrë Vendim që Kompanisë së Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë, t’i revokohet Licenca nr. 003 e datës 25 mars 2002, e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhëse ligjore e BQK-së, njofton kumtesa.
Kompania e Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë, ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës.
Në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, përkatësisht Bordi Ekzekutiv i BQK-së në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për të sanuar gjendjen financiare të Kompanisë së Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë.
Përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, Bordi dhe Menaxhmenti i Siguruesit nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të Kompanisë, ndërsa aksionari i Kompanisë së Sigurimit “Insig” Dega Kosovë nuk ju ka përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi.
Për këtë arsyet, thotë kumtesa që e transmeton Koha.net, BQK-ja ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm, duke emëruar Likuidatorin, i cili do të drejtojë Kompaninë e Sigurimit në Likuidim “Insig” dhe do të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, ndaj të gjithë kreditorëve.
Sipas kumtesës, revokimi i licencës së Kompanisë së Sigurimit “Insig” nuk rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit të sigurimeve në Kosovë. Sistemi financiar i Kosovës, që nga fillimi i funksionimit të tij, ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ka shërbyer si burim i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik në vend.