Investimet kineze në Ballkan pengojnë objektivat e BE-së

Disa investime kineze rrezikojnë të krijojnë në Ballkanin Perëndimor “prishje të ekuilibrave makro-ekonomike dhe varësi ndaj borxhit”, si edhe të ndikojnë në objektivat e BE-së në rajon, tha një zëdhënës i Bashkimit në prag të prezantimit të një projekti energjetik në Bosnjë dhe Hercegovinë, sipas një raporti të EURACTIV.com dhe EURACTIV Kroaci.

Çdo vend është i lirë të përcaktojë objektivat e tij të investimit. Në të njëjtën kohë, BE-ja është e shqetësuar mbi efektet socio-ekonomike dhe financiare që disa prej investimeve të Kinës mund të shkaktojnë. EURACTIV kontaktoi Ekzekutivin e BE-së, menjëherë pas një vendimi të marrë nga Parlamenti i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës (BiH), se një nga dy njësitë e Bosnjës, ka dhënë pëlqimin paraprak për të pranuar një kredi prej 614 milionë eurosh që do të shërbejë për të ndërtuar një projekt energjetik që përfshin Kinën. Një gjë e tillë befasoi shefin e BE-së.

Sipas një prej zyrtarëve më të lartë të bllokut, mbështetja financiare dhe politike e Bosnjës dhe Hercegovinës për ndërtimin e një fabrikë të qymyrgurit mund të ketë pasoja të gjera në drejtim të perspektivave të anëtarësimit të këtij vendi ballkanik në BE.
“Federata duhet të jetë e pavarur në drejtim të projekteve energjetike”, deklaruan ligjvënësit, duke shtuar se ndërtimi i Bllokut 7 është një projekt shumë i rëndësishëm dhe me interes të madh publik, pasi ai do të sigurojë energji dhe do ta bëjë ajrin e Tuzlës “më të pastër”.

Reklama e sponzorizuar

Duke iu referuar investimeve të Kinës në rajon, zëdhënësi i BE-së përmendi shembullin e Malit të Zi dhe mënyrën sesi ai po funksionon. “Një kredi kineze për ndërtimin e një autostradë po kufizon shumë hapësirën fiskale të vendit dhe gjithashtu ka rritur borxhin publik me mbi 70% të PBB-së. Pra, këto investime shpeshherë vijnë të shoqëruara edhe me një sërë pasojash.
“Dhe janë pikërisht këto pasoja që ndikojnë në objektivat tona, domethënë në drejtim të përmirësimit të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të rajoneve të Ballkanit Perëndimor, por edhe më larg, p.sh. në Afrikë”, vazhdoi më tej zyrtari i BE-së. Në samitin e 21-të të BE-së i cili u zhvillua në Bruksel, BE-ja kërkoi një “marrëdhënie të balancuar, e cila siguron konkurrencë të drejtë dhe akses të barabartë në treg”.

Komisioni kundërshton planin

Më 28 mars, Komisioneri Johannes Hahn zhvilloi një vizitë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe vuri në dukje se vendi duhet të përpiqet të heqë dorë nga prodhimi i energjisë nga qymyrguri dhe të investojë më shumë në burimet e ripërtëritshme. Vendet kandidate për në BE (Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) si dhe kandidatët e mundshëm (Bosnjë dhe Hercegovina dhe Kosova) janë pjesë e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociimit (MSA) me BE-në, si edhe janë anëtarë të Komunitetit të Energjisë.

Zyrtari i BE-së tha se këto vende duhet të respektojnë dispozitat përkatëse të MSA-së dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë në lidhje me ndihmën shtetërore. Në këtë drejtim, çdo ndihmë shtetërore që shtrembëron ose kërcënon të shtrembërojë konkurrencën duke favorizuar ndërmarrje të caktuara ose produkte të caktuara, për aq sa mund të ndikojnë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe në këtë rast, Bosnje-Hercegovinës, nuk është në përputhje me funksionimin e duhur të MSA-së dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Zëdhënësi i BE-së shtoi se Sekretariati i Komunitetit të Energjisë shprehu shqetësime të qarta në lidhje me mospërputhjen me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore lidhur me zhvillimin e projektit të Bllokut 7. “Autoritetet e Bosnjë & Hercegovinës duhet t’i adresojnë këto shqetësime dhe të kërkojnë një zgjidhje në të mirë të të gjitha palëve të përfshira”, përfundoi ai.