Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë takimit të nivelit të lartë të ministrave rreth “Konektiviteti energjetik i Evropës qendrore dhe juglindore” në Bukuresht të Rumanisë, ka adresuar problemet të cilat Serbia po i shkakton Kosovës duke penguar lidhjen e saj me Evropë dhe rajon.
“Dua të ngre një çështje, e cila jo vetëm që është relevante në implementimin e projektit të lidhjes së tregjeve mes Shqipërisë, Italisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë (AIMS), por është një kusht paraprak për rregullimin e tregut rajonal. Ashtu siç e dini, Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë në takimin e fundit ka konkluduar ‘shkelje të rëndë të vazhdueshme’ nga ana e Serbisë në lidhje me menaxhimin e kongjestionit të aplikuar në interkonektivitetin e Kosovës. Një konkluzë e tillë, nëse nuk korrigjohet, hyn në efekt në qershor të këtij viti”, tha ministri Lluka.
Ai gjithashtu kërkoi që të zgjidhet sa më shpejt problem me Serbinë, e cila po e dëmton konsumatorin me çmime të larta.
“Konsumatorët e Kosovës kanë mbajtur barrën e tarifave më të shtrenjta të importit si shkak i barrierave dhe të drejtave ekskluzive të pjesëmarrësve Serb në treg të cilët mund të operojnë në tregun e Kosovës” u shpreh ministri Lluka.
Ai gjithashtu tregoi se Kosova ka marrë hapa konkretë në bashkimin e tregjeve dhe ka kërkuar që Kosova të jetë pjesëtare e barabartë në projektin AIMS.
“Në lidhje me bashkimin e tregjeve, Kosova është duke punuar me Shqipërinë në projektin Ballkani Perëndimor 6 (WB6). Projekti ka avancuar dhe së shpejti presim të themelojmë shkëmbimin e energjisë me Shqipërinë e cila do të administrojë këto dy tregje të bashkuara. Në pikëpamjen tonë, ky projekt duket të konsiderohet si hap i parë në bashkimin e tregjeve të AIMS që në këtë rast duhet të përfshijë edhe tregun e Kosovës”, tha ministri Lluka.
Në fund ai tha se përfshirja e Kosovës në këtë projekt do të lehtësonte tranzicionin energjetik në një treg të vetëm evropian.