Mbi 25 mijë familje kosovare vazhdojnë që të mbeten gjallë vetëm nga sociali. Numri më i madh i tyre është në Mitrovicë, përkatësisht mbi 2 mijë familje. Pas Mitrovicës renditen Prishtina, Vushtrria e Lipjani. Numri i familjeve që jetojnë me social në këto komuna shkon në mbi 6 mijë. Ndërkohë, gjithë këto familje i kushtojnë buxhetit të shtetit më të varfër në rajon mbi 33 milionë euro në vit. Arjeta Shabani
Të papunë, e me duar në xhepa. Kështu e kalojnë gjithë muajin shumë prej kosovarëve, në pritje të një “page” që ua jep shteti çdo 30 ditë.
Ani pse nuk kanë asnjë vend pune prej së cilës do të mund të fitonin para, mbi 100 mijë qytetarë në vend vazhdojnë që të mbesin gjallë vetëm me paratë që marrin nga sociali.
Gjithë kjo sipas raportit “Statistikat e Mirëqenies 2018”, që ka publikuar së fundi Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK).
Në bazë të këtij raporti, mbi 25 mijë familje kosovare vazhdojnë që të jetojnë vetëm nga sociali, përkatësisht 103 mijë 409 anëtarë. Numri më i madh i tyre janë nga Mitrovica.
“Bazuar në gjendjen e muajit dhjetor 2018, numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale ishte 25,345 familje. Numri më i madh i familjeve ishte në komunën e Mitrovicës me gjithsej 2,275 familje”, thuhet në raportin e ASK’së.
Menjëherë pas Mitrovicës renditen edhe Prishtina, Vushtrria e Lipjani.
Vetëm në këto komuna, numri i familjeve që jetojnë me social shkon në mbi 6 mijë. Derisa, më së paku familje të tilla ka në komunat që janë të banuara kryesisht me serbë.
Por, krahasuar me vitin e kaluar shifrat janë ulur. Derisa në 2017’ën, numri i familjeve që merrnin ndihma sociale shkonte në mbi 26 mijë, këtë vit është ulur për rreth 1 mijë familje.
Numri i madh i këtyre familjeve i kushton buxhetit të shtetit më të varfër në rajon me miliona euro.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, janë shpenzuar rreth 33 milionë euro për skema sociale.
Por, kjo nuk është kategoria e vetme për të cilën shteti ka ndarë miliona vitin e fundit.
Për një vit, shuma e mjeteve të shpenzuara për pagesën e pensioneve dhe skemave tjera shkon në mbi 370 milionë euro.
Në këtë shumë parash përfshihen gjithë pagesat që janë bërë për pensionet bazike të moshës, pensioneve kontributpaguese, pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, pensionet e Trepçës, Forcave të Sigurisë së Kosovës, Trupave Mbrojtëse të Kosovës, skemën e të verbërve, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, veteranët, skema sociale dhe skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.