Ministria e Mjedisit lidh kontratë 163 mijë euro për punët që i kryejnë zyrtarët e saj

Në Ministrinë e Administratës Publike thonë se angazhimi i kompanive private nga ministritë për kryerjen e punëve që kanë të bëjnë me marrëdheniet me publikun, konsiderohen “punë të dyfishta”.

Ardit Kika

Ndonëse deklaron se i ka 4 zyrtarë në Divizionin për Komunikim me Publikun (DKP) dhe një zyrtar për media në kabinetin e ministrit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka angazhuar kompani jashtë ministrisë për kryerjen e punëve të njëjta.

Reklama e sponzorizuar

Kontrata 3 vjeçare është lidhur me konsorcumin e formuar nga Spinp Agency dhe PR Solutions. Kontrata është nënshkruar më 26 tetor 2018 dhe ia jep konsorciumit mbi 54.300 në vit për kryerjen e punëve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me publikun.

Buletini Ekonomik ka pyetur në Ministrinë e Administratës Publike lidhur me ligjshmërinë e këtyre kontratave.

Përderisa pritet të ketë ndërthurje të punës së konsorciumit të kontratuar me zyrën për media, Ministria e Administratës Publike (MAP) ka thënë se praktika e kontraktimit të kompanive për punët nën kompetencën e zyrtarëve nuk ka ndodhur ndonjëherë në institucion.

“Në MAP nuk lidhen kontratat për punët që i kryejnë zyrtarët shtetërorë brenda institucionit sepse kjo do të thotë se kryhen punë të dyfishta”, ka thënë në muajin e kaluar, Zeqir Bekolli, udhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik në MAP.

Ndërkaq, disa nga 16 objektivat që konsorciumi obligohet t’i përmbushë përgjatë 18 muajve janë themelimi i një mekanizmi të komunikimit të dyanshëm, zhvillimi e zbatimi i strategjisë së komunikimit, ta mbështetë DKP-në dhe të koordinohet me të për punët lidhur me media.

Megjithatë, MMPH e ka bërë të qartë se konsorciumi i PR-it ende nuk e ka kryer ndonjërën nga punët e parapara në kontratë.

“Sa i përket projektit “Kontraktimi i një kompanie për mbështetje Divizionin për Komunikim mePublikun si dhe zhvillimin e ueb faqes së MMPH-se”, deri me tani janë në finalizim e sipër dy aktivitetet e para si në vijim…”, është përgjigjur MMPH, duke iu referuar dizajnimit të fushatës së komunikimit, përmirësimi i nivelit sigurisë së informacioneve të ministrisë dhe trajnimit të zyrtarëve për media.

Në përgjigjen e saj, ministria ka përmendur edhe “aktivitetet tjera sipas kërkesave si dhe bazuar në Kontratën publike kornizë”, mirëpo nuk ka treguar se për çfarë bëhet fjalë.

Rregullorja për Organizimin e Brendshëm të MMPH-së ia lë nën kompetencë DKP-së që të propozojë e sigurojë zbatimin e planeve të komunikimit, të ofrojë përkrahje profesionale në komunikim me publikun, ta mirëmbajë faqen e internetit, ta koordinojë qasjen në dokumente publike dhe të organizojë punën me media (shkrimin e komunikatave, organizimin e konferencave për media dhe publikime të ndryshme).

Pavarësisht ngjashmërive në mes të termeve “mbështetja e rolit të MMPH përmes aktiviteteve të marrëdhënieve me publikun” me “ofron përkrahje profesionale për ministrinë në fushën e komunikimit dhe informimit”; dhe në mes “zhvillimi i strategjisë-misioni dhe vizioni” dhe “propozon, harton dhe siguron zbatimin e planeve të komunikimit të ministrisë” MMPH mohon se ndonjë kometencë e DKP-së do t’i delegohet kompanive.

“Operatori ekonomik ka përgjegjësi vetëm për mbështetjen e MMPH-në, sipas kontratës, ndërsa, DKP-ja koordinon punën sipas përshkrimit bazuar në Rregulloren e Brendshme të MMPH-se”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Komunikimi me mediat pritet të ndryshojë edhe në strukturë. Sipas MMPH koordinimi i punës me media do të “behet nga Divizioni per Komunikim me Publikun në konsultim me sekretarin e përgjithshëm të MMPH-së, si dhe me zëdhënësin e kabinetit të Ministrit dhe me mbështetje nga konsorcimi…”.

Buletini Ekonomik e ka pyetur ministrinë se prej nga ka ardhur ideja për lidhjen e kontratës.

“Vullneti ka buruar nga MMPH/ Kabineti/DKP-ja”, shkruhet në përgjigjen e MMPH.

Veç tjerash, nuk është bërë e qartë se si do të merren vendimet në rastet e shpërputhjeve për çështje profesionale të konsorciumit dhe DKP-së.

“Vendimet merren duke zhvilluar takime dhe konsultime me stafin e DKP-se si dhe sipas hierarkisë se raportimit sipas përgjegjësive, qe kemi bazuar ne detyrat dhe përgjegjësit tona”, ka thënë MMPH për Buletinin Ekonomik.

MMPH ka thënë se ka edhe ministri të tjera që japin tendere për fushën e marrëdhënieve me media, ndërkaq në pyetjen rreth shembujve të tillë është përgjigjur se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë (MBPZHR) dhe Zhvillimit rural është ka vepruar ngjashëm dhe ka udhëzuar që të kontaktohet MBPZHR.

Ndërkaq, sipas faqes zyrtare të prokurimit online E-prokurimi, MPBZHR ka bërë njoftim për anulimin e tenderit më 29 mars 2019.