20 punëtorë gjatë vitit 2018, vdiqën në vendet e tyre të punës, si pasojë e mungesës së kushteve dhe sigurisë në punë, por edhe të mbikëqyrjes joefikase të punëdhënësve nga Inspektorati i Punës.
Ndërsa, në pesë vjetët e fundit, në sektorin e sigurisë në punë, kanë humbur jetën 99 punëtorë në vende të ndryshme të punës, raporton KTV.
Vetëm brenda vitit të kaluar, kjo organizatë pranoi 60 raste të shkeljeve të ndryshme në vendin e punës, derisa punëtorët e sigurimit privat ishin ata që kishin raportuar shkeljet më të mëdha.
Konkurse të manipuluara, procedura gjyqësore të papërfunduara, punë 24-orëshe pa ndërprerë, mospagesë të kontributeve penisonale, mosdhënie e pagave deri në 8 muaj, privim nga pushimi vjetor dhe ai mjekësor, mospagesë për punën jashtë orarit të rregullt etj., janë disa nga shumë padrejtësi dhe shkelje me të cilat përballen punëtorët në Kosovë.
Në këtë raport, gjithashtu thuhet se shumë nga punëtorët, sidomos të sektorit privat, nuk kanë njohuri se cilat institucione janë përgjegjëse për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Aty theksohet se punëtorët ankohen për mungesë vizitash nga Inspektorati i Punës dhe gjithashtu mungesë përgjigjesh në rastet e ankesave anonime.