Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë sot gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës se do të hiqet kriteri në legjislacionin aktual për Skemën e Ndihmës Sociale sipas së cilit, një familje duhet të ketë një fëmijë nën moshën 5 vjeçare, në mënyrë që të jetë përfituese të asistencës.
“Aktualisht jemi në fazën e hartimit të Koncept-Dokumentit për Skemën e Ndihmës Sociale. Tanimë MPMS ka themeluar Grupin Punues për hartimin e këtij Koncept Dokumenti nga i cili do të rrjedh Ligji i Ri për Skemën e Ndihmës Sociale dhe ky kriter do të eliminohet sikurse edhe shumë kritere tjera që janë diskriminuese”, tha ministri.
Reçica tha se marrë parasysh rekomandimet nga institucionet vendore dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare se disa prej kritereve të përfshira në legjislacionin aktual për Skemën e Ndihmës Sociale janë diskriminuese, siç është kriteri i moshës 5 vjeç që përjashton shumë familje të varfra nga Skema e Ndihmës Sociale, MPMS gjatë vitit 2018 ka iniciuar disa reforma në fushën e mirëqenies sociale dhe pensioneve, ndërsa gjatë vitit 2019 ka vazhduar me reformimin e Skemës së Ndihmës Sociale.