Tre të vdekur sivjet në vendin e punës, 22 ishin vitin e kaluar

Për gati katër muaj kanë vdekur tre të rinj në vendet e tyre të punës. Në Inspektoratin e Punës kanë thënë se krahasuar me një vit më parë ka rënë numri i aksidenteve në vendpunishte. Vitin e kaluar 22 punëtorë kishin humbur jetën, e lëndime të rënda kishin pësuar 104 të tjerë.

Shembja e një pjese të objektit të hotel Adriatikut në Mitrovicë doli të jetë fatale për 27-vjeçarin Visar Behrami nga Mitrovica. Ai mbeti nën rrënojat e objektit, ku si pasojë edhe humbi jetën. E vdekja e Visarit çon në gjashtë numrin e viktimave në vendin e punës për 4 muajt e parë të këtij viti.

Rrethanat e shembjes së objektit janë ende të panjohura, ndërkaq prokuroria ka shqiptuar masën e paraburgimin prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit A.H në cilësinë e pronarit dhe Q.H në cilësinë e punëkryesit.

Reklama e sponzorizuar

Prokuroria ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit A.H dhe Q.H, me datën 22 prill sipas marrëveshjes në mes vete dhe pa u konsultuar me ekspertët përkatës për rrënimin e objekteve kanë filluar t’i kryejnë punët në objektin ndërtimor në objektin e ish-hotelit Adriatiku.

Kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi, ka thënë për Gazetën Express se së shpejti do inspektorati do të dale me një raport sa i përket rastit të vdekjes së Visarit në vendin e punës.

“Inspektori ka dalë në teren ditën kur ka ndodhur, i ka marr shënimet por ditën e parë ska arritë me marrë shumë sepse vëmendja ka qenë me e nxjerrë të ndjerin nga gërmadhat. Në ditët në vijim do të dalë me raport me nxjerrë përfundimin si ka qenë siguria dhe a janë marrë masat e nevojshme për sigurinë në punë”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi thotë se gjatë muajve të parë të këtij viti, rastet e lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës janë më të vogla se vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kohore.

“Këtë vit ka raste më pak të lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës, në krahasim me vitin e kaluar. Siguria në përgjithësi dhe në ndërtimtari mund të them se ka një ndryshim së paku sa i përket aksidenteve, në krahasim me vitin e kaluar është më mirë gjendja. Edhe një vdekje në vendin e punës për ne është shumë, por po ndërmarrim të gjitha masat që të zvogëlohen aksidentet në vendin e punës”, ka theksuar Ibrahimi

Ndërkaq Ibrahimi tregon se gjobat ndaj kompanive ku punëtorët humbin jetën shqiptohen në bazë të masave të sigurisë të cilat ato kompani i kanë marrë paraprakisht.

Ai thekson se ka raste kur dikush pëson lëndim më të vogël dhe kompania mund të gjobitet më shumë, e ka raste të tjera kur personi mund të vdesë dhe kompania të gjobitet më pak, pasi ka mundësi që i ka marrë masat e nevojshme për sigurinë e punëtorëve gjatë punës.

Ibrahimi po ashtu ka treguar se gjatë vitit 2018, Inspektorati i Punës ka shqiptuar 270 gjoba ndaj kompanive të cilat nuk i kanë marrë masat e nevojshme për sigurinë në punë.

Ndërkaq rasti i Visarit nuk është i vetmi gjatë këtij viti. Në muajin shkurt në vendin e punës humbi jetën edhe 22-vjeçari Krenar Jemini nga Mushtishti i Suharekës.

Kompania kishte dalë me një komunikatë në të cilën thuhej se në momentin kritik, Krenari kishte qenë duke kryer punët e tij në fabrikën “Lab Oil” dhe ka rrëshqitur në shiritin transportues të fabrikës, ku ka marrë lëndime vdekjeprurëse.

E për humbjen e jetës së Krenarit në vendin e punës, kompania “Lab Oil” ishte gjobitur 9 mijë e 500 euro.

Gjatë katër muajve të parë të këtij viti, gjashtë persona kanë humbur jetën në vendin e punës. Ndërkaq gjatë viti të kaluar 22 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, e lëndime të rënda kanë pësuar 104 persona.

Çka thotë Ligji për vdekjet në vendin e punës

Punëdhënësi, sipas Ligjit të Punës, është i obliguar ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë.

Po ashtu, punëdhënësi sipas Ligjit për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, ka përgjegjësi që t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për siguri dhe shëndet në punë, duke përfshirë edhe masat parandaluese kundër rreziqeve profesionale. Në anën tjetër, i punësuari është i detyruar ta informojë Inspektoratin e Punës në rast të ndonjë aksidenti me pasojë në lëndimin apo vdekjen e të punësuarit.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës janë definuar edhe dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës. Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kushdo që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa nëse pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Në rastet e lëndimeve më të rënda, personi përgjegjës mund të dënohet me 1 deri në 10 vite burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave përgjegjësi mund të dënohet prej 1 deri në 12 vjet burgim.