Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” (KRUP) njofton të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë se, nga sot janë formuar komisione të veçanta për verifikimin dhe dërgimin/procesimin e lëndëve te Përmbaruesit Privat, të konsumatorëve që kanë obligime të pashlyera ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe të atyre konsumatorëve të cilët kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe të cilët nuk iu janë përmbajtur kontratës së nënshkruar nga të dyja palët.
Kompania njofton po ashtu se borxhi total ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit është mbi 40 milionë euro derisa, nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike kanë përfituar mbi 52 mijë konsumatorë, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk iu janë përmbajtur marrëveshjes kontraktuale.
“Përveç aplikimit masiv të shkyçjeve individuale, nga sot lëndë të shumta të konsumatorëve borxhlinj do të procesohen te Përmbaruesit”, ka njoftuar KRUP.
Kompania thotë t’u ketë ofruar bashkëpunim dhe mundësi të lehta të ndryshme konsumatorëve (riprogramim për borxhe të akumuluara), andaj kërkon që të shfrytëzohet kjo mundësi, sepse “lëndët e dërguara te Përmbaruesit janë shpenzime shtesë për ju, derisa KRU ‘Prishtina’ nuk aplikon kamata për asnjë konsumator të saj”.
Duke i falënderuar të gjithë konsumatorët që paguajnë rregullisht faturat e ujit, KRU “Prishtina” fton borxhlinjtë që urgjentisht t’i kryejnë detyrimet që kanë ndaj kompanisë.
“Pagesat tuaja ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit do të shfrytëzohen për investime kapitale, infrastrukturë të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit”, përfundon njoftimi i KRU “Prishtina