Komuna e Malishevës që udhëhiqet nga partia Nisma Social Demokrate ka punësuar gjatë vitit 2018, 65 persona pa i ndjekur procedurat ligjore.
Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se në të gjithë të punësuarit me marrëveshje për shërbime të veçanta, asnjëri nuk e kishte në kontrata të specifikuar bazën ligjore, shkruan Buletini Ekonomik.
“Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil dhe Ligji i Punës Nr. 03/L-212 i rregullojnë çështjet e angazhimeve me marrëveshje për shërbime të veçanta (MSHV). Gjatë vitit komuna kishte angazhuar 65 punonjës përmes MSHV-ve por që në kontrata nuk ishte e specifikuar se në cilën bazë ligjore5 ishin thirrur gjatë hartimit të kontratave. Prej tyre 53 persona të njëjtë ishin angazhuar dy herë brenda vitit, pra në një far forme këto kontrata vetëm ishin vazhduar”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë komunë.
Po ashtu, për këto angazhime nuk ishte zhvilluar ndonjë procedurë e thjeshtuar e rekrutimit dhe sipas Auditorit mungonin kërkesat apo arsyetimet për nevojën e angazhimit të punonjësve përmes kësaj forme të punësimit.
Veç kësaj, angazhimet ishin kryesisht për pozita të rregullta.
“Komuna kishte ndalur në burim dhe kishte paguar kontributet pensionale për këta punonjës, por meqenëse këta kontraktues të shërbimeve nuk janë punonjës të rregullt dhe nuk janë të përfshirë në listën e pagave, Komuna me rastin e pagesës së kompensimit mujor, nuk u kishte ndalur kontributin e paguar në emër të punëdhënësit prej 5%. Në këtë rast, kostoja mujore e pagesës për personin e angazhuar i kishte kushtuar komunës 5% më tepër se sa shuma e përcaktuar me MSHV në mes Komunës dhe kontraktuesit”, konstaton Auditori.
Sipas Auditorit, angazhimi i stafit për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit dhe pa e specifikuar se në cilën bazë ligjore janë këto kontrata krijon konfuzion rreth afateve të lejuar të tyre dhe rritë rrezikun që angazhimet të mos jenë të duhura.
Ndërsa pagesa prej 5% nga kompensimi i përcaktuar me MSHV i ka shkaktuar Komunës kosto shtesë buxhetore. /Buletini Ekonomik/