Komisioni hetimor parlamentar për Telekomin, ka dëgjuar gjatë ditës ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe kryetarin e Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi.
I pari ka treguar se Telekomi është në prag të falimentimit pasi po operon me humbje prej miliona eurosh në vit dhe goditja e fundit, sipas tij, do të ishte po qe se dërgohet te përmbaruesi privat vendimi i gjykatës për kontratën me Z-Mobile-in, raporton KTV.
Shpëtimi i ndërmarrjes, sipas ministrit Lluka, është privatizimi.
Por, anëtarët e Komisionit kanë kërkuar arsyet që kanë çuar në këtë gjendje dhe i kanë kërkuar publikimin e listave të punëtorëve.
Shkumbin Demaliaj, anëtar i Komisionit nga AAK-ja, ka thënë të ketë informacione se në PTK janë të punësuar deri në 12 anëtarë të një familjeje.
Lluka është përgjigjur se punësimet kanë qenë konform procedurave për rekrutim dhe se i mbetet drejtësisë ta thotë fjalën e vet nëse kontratat duhet shkëputur ose jo.
Derisa kryetari i bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, para Komisionit, theksoi se problemi i Telekomit janë operatorët e tjerë.
Gashi, gjithashtu, bëri të ditur se Telekomi ia ka ARKEP-it borxh 1.8 milion euro, derisa ndërmarrja ende po ka probleme në implementimin e kodit shtetëror +383.