Devollët bëjnë negociata sekrete me menaxhmentin 

Derisa në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për ta gjetur një zgjidhje për Telekomin e Kosovës, menaxhmenti i kësaj ndërmarrje po zhvillon diskutime të fshehta me kompaninë “Z-mobile”, për t’ia zgjatur jetën Blerim Devollit në Telekom.

Gazeta inFokus, ka siguruar dokumente ekskluzive që dëshmojnë se përfaqësues të dy kompanive janë takuar zyrtarisht disa herë këtë vit për të negociuar vazhdimin e marrëveshjes së Z-mobile me Telekomin.

Me datë 19 prill, një delegacion i udhëhequr nga Drejtori i zyrës Ligjore të PTK-së, Sabahedin Ramaxhiku, bashkë me katër zyrtarë tjerë janë takuar me ekipin e Dardafone.net llC (Zmobile) i udhëequr nga Ernest Jusufi, në emër të aksionarit Blerim Devolli.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë takim është diskutuar për detajet e vazhdimit të marrëveshjes për Operator Virtual Mobil mes këtyre dy kompanive, pavarësisht se marrëveshja aktuale llogaritet se po e qon në falimentim Telekomin.

Në bazë të dokumenteve që posedon Gazeta inFokus, ky nuk është takimi i vetëm i zhvilluar mes këtyre palëve.