E konfirmon Prokuroria: Rusi i arrestuar në veri është liruar

UNMIK ka njoftuar se një nga dy personat e arrestuar të OKB-së, një shtetas rus, i cili u arrestua gjatë kryerjes së detyrës së tij, është liruar.

Kështu shkruan mediumi serb Tanjug, duke u thirrur në një njoftim të misionit të UNMIK-ut, përcjell Telegrafi.

Më parë, misioni kishte njoftuar se “me shqetësim të madh po ndjek zhvillimet aktuale të situatës në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe faktin se Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të OKB-së gjatë kryerjes së detyrës së tyre”.

Reklama e sponzorizuar

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, thanë se dy persona të OKB-së u arrestuan gjatë aksionit të policisë së Kosovës në veri dhe i kërkuan Prishtinës që t’i lironte ata me urgjencë.

“Unë i bëj thirrje të gjitha palëve të respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe dinjitetit kur bëhet fjalë për jetën dhe lirinë e të gjithëve dhe për të ndihmuar në rivendosjen e paqes dhe sigurisë në zonë”, citohet të ketë thënë Tanin.

Informata për lirimin e rusit është konfirmuar edhe nga Prokurori Special i Kosovës, Sylë Hoxha.

Ai ka thënë për Telegrafin se ai është liruar pasi ka imunitet diplomatik dhe nuk mund të mbahet apo ndalohet në polici.

Ndryshe, gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, deri tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, si dhe disa qytetarë.

Përveç kësaj, është raportuar se ka edhe policë të plagosur, gjendja e të cilëve është jashtë rrezikut për jetë.

Policia e Kosovës ndërkohë ka njoftuar se operacionit policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara.

Po ashtu gjatë operacionit, siç është bërë e ditur, Policia ka konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë.