Një studim i mbi 87.000 dokumenteve të marra përmes kërkesave të Lirisë së Informimit (Freedom of Information) e ka zbuluar një mekanizëm kontraktues i cili mund t’ia mundësojë “Coca-Colës” t’i “anulojë” gjetjet e disa prej hulumtimeve shëndetësore që i financon në universitetet publike në SHBA dhe Kanada.
Studimi, i publikuar ditë më parë në “Journal of Public Health Policy”, i identifikoi disa klauzola në dokumentet ligjore që i japin kompanisë qasje të hershme në të gjitha gjetjet, të kombinuar me të drejtën për t’i “anuluar pa arsye” dhe për t’i marrë të dhënat dhe pronën intelektuale, shkruan sot Koha Ditore.
Të marra së bashku, këto klauzola mund t’i ndalojnë “informacionet e rëndësishme shëndetësore”, dhe mund ta kenë bërë këtë tashmë, sipas autorëve të studimit. Pjesa më e madhe e hulumtimeve që i mbështet “Coca-Cola” janë në fushën e të ushqyerit, pasivitetit fizik dhe ekuilibrit të energjisë. Autorët argumentojnë se klauzolat bien ndesh me përkushtimet e “Coca-Cola” për mbështetje transparente dhe “të pakufizuar” për shkencën, që erdhi pas kritikave për mënyrën jotransparente se si disa korporata të mëdha ushqimore i financojnë hulumtimet shëndetësore.
Hulumtuesit nga Universiteti Cambridge, Shkolla Londineze për Higjienë dhe Mjekësi Tropikale, Universiteti i Bocconit dhe US Right to Know, u bëjnë thirrje financuesve të korporatave që t’i publikojnë listat e studimeve të anuluara.
Ata thonë se shkencëtarët duhet t’i publikojnë marrëveshjet me industrinë për ta siguruar publikun se gjetjet nuk janë të ndikuara.
“Është sigurisht e vërtetë se kontratat që i kemi gjetur lejojnë që zhvillimet apo gjetjet e pafavorshme të shuhen përpara publikimit”, tha autorja kryesore dr. Sarah Steele, studiuese e politikave nga Departamenti i Politikës dhe Studimeve Ndërkombëtare në Cambridge.
’Coca-Cola’ e ka deklaruar veten si udhëheqëse të transparencës kur bëhet fjalë për financimin e hulumtimeve shëndetësore të ushqimit dhe pijeve të financuara nga gjiganti.