Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh Koordinator Kombëtar i dy qeverive për mbikëqyrjen dhe zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Forumi Ekonomik mbarë shqiptarë me temën “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë- Shqipëri.
Limaj ka thënë se prej se tash e sa vite është shndërruar në zëdhënës të prodhuesve vendorë sepse thotë se fuqizimi i bizneseve vendore nënkupton zhvillim më të fuqishëm ekonomik dhe hapje të reja të vendeve të punës.
Ai ka folur edhe për takimin e djeshëm koordinues mes dikastereve qeveritare përkatëse duke thënë se koha e spektakleve politike ka përfunduar dhe është momenti i duhur kur duhen gjera konkrete.
“Ne kemi pesë vendime që janë marrë në mbledhjen e Pejës. Të pesë marrëveshjet janë në realizim e sipër. Pas kësaj mbledhje kemi krijuar grupe punuese për të përcjellë sa po realizohen ato marrëveshje. Kosova dhe Shqipëria do ta ketë çmimin më të lirë nga 15 qershori përkatësisht nga 1 korriku dhe qytetarët tonë nuk do të paguajnë atë çmim. Nga tani ka filluar njohja e patentë- shoferëve. Sa i përket qarkullimit të qytetarëve në pikën kufitare Morinë- Vermicë, kanë qenë disa probleme teknike për qarkullim të njerëzve në pikën kufitare dhe në bashkëpunim të ngushte ministritë përkatëse do t’i largojnë ato pengesa të cilat shkaktojnë telashe për të lëvizur”, ka thënë Limaj në këtë tryezë të zhvilluar në Tiranë.
Sa i përket marrëveshjes për njohje të certifikatave, ai ka bërë me dije se janë mbi 42 certifikata të cilat njihen në mënyre reciproke dhe çdo certifikate që lëshohet nga një agjencion ën Tiranë dhe Prishtinë njihet anasjelltas. Limaj ka folur edhe për pikën doganore në Durrës për të cilën thotë se janë vërejtur disa probleme në funksionim dhe të cilat do të rregullohen brenda një periudhe të shkurtër.
“Çështja e skanerit dhe taksa e rrugës. Kem biseduar një kohë të gjatë për të parë si mund të dalim nga kjo situatë. Ne jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka obligime shtetërore, por ne mendojmë se për një vendim të keq të Kuvendit të Kosovës të mos vuajnë qytetarët e Kosovës dhe anasjelltas”, ka shtuar Limaj.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka ftuar Qeverinë shqiptare dhe Shoqatat Tregtare nga Shqipëria të bëjnë listën nëse kanë ndonjë pengesë burokratike apo të çfarëdo natyre nga Kosova.
“Ne do të donim që bizneset të bëjnë konzorciume për të synuar tregjet e treta. Ne ju ftojmë ta gjeni interesin e përbashkët dhe kompanitë të konkurrojnë në tregjet e treta. Preokupim im është klasifikimi. Korridori i TAP-it. Ne jemi të interesuar për rrjetin e klasifikimit që duhet bërë në Kosovë dhe Shqipëri”, ka deklaruar Limaj.
Limaj ka ftuar dhe apeluar bizneset e dy vendeve që të gjejnë interesat e përbashkëta duke u zotuar se do të eliminojnë çdo pengesë burokratike që i pengon ata në funksionim.