Merovci: Presioni i bordit dhe parregullsitë në PTK më detyruan të dorëhiqem

Parregullsitë brenda PTK-së dhe presioni i bordit kishte bërë që ish kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Adnan Merovci, të jepte dorëheqje 5 javë pas marrjes së detyrës, raporton Ekonomia Online.

Kështu tha vetë Merovci gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për Gjendjen në PTK dhe Vala.

Kryesuesi i komisionit, Visar Ymeri, adresoi pyetje për arsyet e nënshkrimit të kontratës me Dardafon dhe rrjedhën e ngjarjes prej kur ai ishte emëruar kryeshef.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Merovcit, parregullsitë në PTK fillojnë qysh herët, madje nga drejtori i parë i saj.

“Me një kontratë tre vjeçare të nënshkruar kam ofruar dorëheqje. Historia ime me PTK-në lidhet në 2001 ku kam qenë drejtor i postave, por pastaj më kanë shkarku sepse unë i kam kundërshtu parregullsitë që janë bë në PTK. Mu ka ndalu hyrja edhe në zyrën time. Këtë po e them se krejt gjërat në PTK  datojnë në histori me parregullsi kogja shumë herët për të mos thënë nga drejtori j parë”.

“Disa ditë nuk ka shku për ta nënshkruar kontratën. Shkova e nënshkrova. Ditën e parë kur shkova në zyrë kishte një grumbull dokumentesh. Kur kam shku i kam thirr dhe takimin e parë e kisha me bordin. Bordi ka qenë i njoftuar me krejt rrjedhat. Unë e kam pa dhe kam fitu poenë kur kam thënë së çështjet e parëndësishme me i lënë kurse ato të rëndësishme me u marrë me to. Kur kam shku në mbledhje të bordit, bordi ka inicu çështjet me prioritet dhe prioritet i kanë dhënë kësaj kontrate. Nuk kam qenë në dijeni deri atëherë që qenka diçka që po pritka”, tha Merovci.

Merovci tha se ka kërkuar nga bordi kohë prej gjashtë muajsh për këtë kontratë, por që nuk i është dhënë kjo kohë pasi i është ushtruar presioni.

“Unë kam gjet një mes, që burra ne nuk jemi për këtë kontratë me nënshkru sepse nuk ka bindje. Unë kam qenë i shtyer nga bordi në raporte. Kur ka ardhë puna të përqindjet me fol e kam pa që unë nuk jam i përgatitur dhe kam thënë që kemi nevojë për kohë.  Unë kam thënë që kontratë nuk mundemi me bë tash për tash, por duhet së paku gjashtë muaj. Unë kam thënë kush është kjo kompani dhe kur kam pa që ka të involvum amerikanë kam thënë se nuk e nënshkruaj unë këtë kontratë. Arsyeja e dytë e dorëheqjes sime është presioni i bordit që kjo duhet të bëhet brenda një viti”, tha ai.

Liburn Aliu nga Vetëvendosje adresoi çështjen e Adrian Shatkut një prej aksionarëve, nënshkrues të kontratës.

Merovci u përgjigj se Shatku për shkak se ka pasur një borxh në PTK nuk e ka lejuar t’i qëndronte afër.

“Kam dëgjuar dhe ka qenë njeriu që se kam lënë me mu afru afër kur e kam nënshkruar kontratën. Drejtori financiar më ka thënë se ka detyrim financiar. E kam ngritë këtë çështje dhe i kam thënë se nuk takohem me një njeri që i ka borxh postës”, tha ai.

Merovci tha se parregullsitë në PTK fillonin edhe nga bordi, që sipas ligjit, thotë ai, nuk kanë të drejtë të shihen apo të rrinë çdo ditë me kryeshefin, por që në PTK kjo ka ndodhur.

Ai shton se ata kanë vepruar në kundërshtim me ligjin duke përdorur edhe makinat e PTK-së për nevojat e veta.

“Kryeshefi nuk bën me u pa me bordit për çdo ditë sipas ligjit, nuk bën me pi kafe për çdo ditë. Ata e kanë marrë zyrën përballë times. I ka thënë nuk bën kështu, nuk bën ne me u pa përditë”, tha Merovci, raporton EO.

Ish-kryeshefi i PTK-së ka thënë se pavarësisht se ka pasë mundësinë që të bëjë shpenzime pa kufi asnjë nuk e ka shfrytëzuar. Sipas tij, edhe udhëtimin për në punë e ka bërë me veturë personale.