Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj llogaritet qeveria më e madhe që ka pasur Kosova ndonjëherë. Në mesin e mbi 20 ministrive, Qeveria e Haradinajt pati ‘shpikur’ edhe një ministri, që do të quhej Ministria e Zhvillimit Rajonal.
Me një buxhet prej 3.6 milionë euro, kjo ministri gjatë vitit 2018 ia kishte vendosur vetës një mision; zhvillimin rajonal të Kosovës.
Kjo do të arrihej përmes një programi për zhvillim rajonal, shkruan Buletini Ekonomik.
Por ky program që planifikohej të kryhej për vitin 2018, dështoi në tërësi.
“Programi parashihte investimet përmes bashkëfinancimit me komunat, por këto të fundit nuk kishin arritur të realizojnë projektet e tyre si rezultat i vonesës në procedura të prokurimit dhe fillimit të vonshëm të punimeve”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për këtë ministri për vitin 2018.
Si rezultat i dështimit të këtij programi, buxheti final për investime kapitale krahasuar me buxhetin fillestar ishte zvogëluar për 465,046 euro.
Ndërkaq, vetëm për paga të punëtorëve shkuan mbi 300 mijë euro. /Buletini Ekonomik/