Qeveria lë pa punë 66 punëtorë të Lotarisë, Ministria e Financave nuk e procedon Ligjin e riMbi 60 punëtorë të Lotarisë së Kosovë nga 8 maji i këtij viti do të mbesin në shtëpi. Gjithë kjo për faktin se po këtë ditë do të hyjë në fuqi Ligji që ndalon lojërat e fatit. “Shpëtim” për ta mund të jetë procedimi në Kuvend i Ligjit për Lotarinë. Aktualisht ligji gjendet në Qeveri, dhe ende nuk është proceduar. Lumir Abdixhiku thotë se ai ende nuk ka marrë konfirmim rreth kërkesës për procedim të këtij Ligji, ndërkohë në Lotari deklarojnë se kanë marrë premtime nga Grupet Parlamentare se ky ligj do të procedohet shpejt.
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku i ka thënë Gazetës Express se ai ende nuk ka marrë përgjigje lidhur me kërkesën e tij për procedimin e këtij ligji.
“Nga asnjeri. As në formë të shkruar, e as si konfirmim në seancën e fundit kur kam kërkuar që ligji të procesohet nga Qeveria”, ka thënë Abdixhiku.
E nëse ky Ligj nuk procedohet shpejt, atëherë një numër i madh i punëtorëve do të mbesin të papunë.
Drejtori i Lotarisë së Kosovës, Bashkim Sllamniku i ka thënë Gazetës Express se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Lojërat e Fatit do të mbesin të papunë 66 punëtorë të Lotarisë së Kosovës.
Sllamniku thotë se kanë marrë premtime nga të gjitha Grupet Parlamentare se se ligji do të procedohet shumë shpejt në Kuvend.
“Më 8 maj hyn ligji në fuqi dhe do të mbesin 66 punëtorë pa punë. Kemi marrë premtime se do të procedohet shpejt ligji. Na kanë premtuar të gjitha Grupet Parlamentare”, ka thënë Sllamniku për Express.
Ligji është aktualisht në Zyrën e Kryeministrit, por që deri më tani nuk është proceduar.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e Qeverisë, Donjeta Gashin për të marrë informacione se kur do të procedohet ky ligj në Kuvend, por ajo ka sugjeruar që për këtë çështje të drejtohemi te Ministria e Financave, por që nuk kanë kthyer përgjigje.