Kryetari i Sindikatës së Bashkuar së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovës, Rrahman Jashari, ka deklaruar se nëse ankesa e tyre në Gjykatën e Apelit nuk do të merret parasysh, ata do ta dërgojnë çështjen edhe në Bruksel, për shkak se ky është rasti i parë në botë ku kërkohet kompensimi i orëve të grevës, dhe kompensimi i orëve do të thotë që greva do ta humbte tërësisht kuptimin e saj.
“Nëse Gjykata e Apelit vendos kundër ankesës sonë, ne do të shkojmë në të gjitha shkallët e drejtësisë në Kosovë, madje nuk e përjashtojmë rastin që lëndën ta dërgojmë në Bruksel, ku është Qendra e Unionit të Sindikatave të Evropës, dhe të kërkojmë mbështetje nga ata. Ky është rasti i parë në botë kur ata që marrin pjesë në grevë, obligohen qoftë me akte juridike, qoftë përmes gjykatave, që t’i zëvendësojnë orët e humbura në grevë, e në këtë mënyrë, greva do ta humbte tërësisht vlerën e saj”, tha Jashari për Gazetën Express.
Jashari, gjithashtu, shtoi se vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka vendosur në bazë të dokumenteve të cilat nuk janë valide, e madje që janë të kohës së UNMIK-ut.
“Po bëjmë ankesë, ngase po konsiderojmë që Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është bazuar në ato që kemi insistuar, dhe asnjë ligj në botë, e as ligji për grevat, nuk e obligon kompensimin e orëve të humbura… e madje është vendosur në bazë të dokumenteve të cilat nuk janë valide, që janë edhe pjesë e kohës së UNMIK-ut”, tha Jashari.
Ai, po ashtu, tha se greva nuk ka qenë politike, dhe nuk është bërë për hatrin e askujt.
“SBASHK-u është i të gjithëve, mbase vetë politika mundohet për qëllime të veta ta gjuaj SBASHK-un dhe grevën… por ne po bëjmë përpjekje për të drejtën tonë”, shtoi ai. “Nuk po e bëjmë këtë rezistencë as për kryeministrin, as për hatrin e tij, as për hatrin e Veselit, e as ministrit Bytyqi”.
Jashari tha se çështja e orëve tani më për ta është e mbyllur, dhe SBASHK-u do të veprojë në bazë të Këshillit Drejtues të SBASHK-ut, i cili është se nuk do të kompensohen orët e humbura.
Javën e kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës refuzoi padinë e SBASHK-ut, ndaj vendimi të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për kompensimin e orëve të humbura.