Në bazë të Ligjit për Ndërmarrje Publike, secilës ndërmarrje publike në Kosovë duhet t’i bëhet një vlerësim i përformncës së drejtorëve të ndërmarrjeve, përfshirë këtu edhe Telekomin.
Këtë punë në bazë të ligjit është e obliguar të kryejë Njësia për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Në baza vjetore kjo njësi duhet të vlerësoj efektshmërinë e drejtorëve të secilës Ndërmarrje Publike (NP) dhe këtë vlerësim të publikoj në faqen e saj zyrtare në internet.
Por për asnjë ndërmarrje publike nuk u krye ky obligim ligjor gjatë vitit 2018, ka gjetur Auditorit i Përgjithshëm gjatë auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, shkruan Buletini Ekonomik.
”NJPMNP në vitin 2018 nuk kishte arritur të bënte një vlerësim të tillë në mungesë të kapaciteteve. Kjo njësi kishte bërë kërkesë tek menaxhmenti për angazhimin e një kompanie të jashtme, por kjo kërkesë nuk ishte aprovuar me arsyetimin e mungesës së mjeteve buxhetore”, vlerëson Auditori.
Sipas Auditorit, mungesa e vlerësimit të performancës së drejtorëve të ndërmarrjeve publike pamundëson nxjerrjen e konkluzioneve të aksionarit dhe grupeve të interesit nëse personat e ngarkuar me qeverisje të ndërmarrjeve publike kanë ushtruar aktivitetin e tyre në mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe efektive.
“Ministri duhet siguroj se me rastin e planifikimit të kërkesave buxhetore të përfshihet edhe kërkesa për fonde buxhetore për angazhimin e këshilltarëve ose të ndonjë kompanie të këshillimit për të ndihmuar procesin e vlerësimit”, thuhet tutje në raportin e Auditorit. /Buletini Ekonomik/