Gratë në Kosovë përbëjnë më shumë se 50 % të popullsisë, por vetëm 10% e bizneseve janë në pronësi të tyre.
Këto të dhëna i ka vlerësuar shqetësuese shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, raporton KTV.
Me rastin e publikimit të raportit “Kuota gjinore në bordet e korporatave në Kosovë” Apostolova, ka theksuar se duhet të rritet pjesëmarrja e grave në pushtet.
“Në analizën për kuotën gjinore të 2018-s financuar nga BE-ja është treguar qartë se kur kuotat janë aplikuar, ato kanë ndikuar në përfaqësimin e grave në Kosovë. Në të kundërtën kur kuotat nuk zbatohen, gratë mbesin shumë të papërfaqësuara. Gratë përfaqësojnë më shumë se 50 për qind të popullsisë të Kosovës dhe është me rëndësi thelbësore që ato të marrin pjesën e tyre të pushtetit, duke përfshirë edhe në fushën e ekonomisë”, ka thënë Apostolova.
Shqetësuese mbetet edhe punësimi i grave në institucionet e Kosovës, përveç Kuvendit.
Në këtë diskutim u tha se për të ardhur gratë në vendimmarrje duhet të përfaqësohen në politikë në masë më të madhe dhe në borde, qofshin ato institucionale, të korporatave apo borde të tjera.