Apostolova u kërkon deputetëve heqjen e monopolit për homologim

Me iniciativë të Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, është mbledhur Komisioni për Zhvillim Ekonomik, për të diskutuar lidhur me monopolin e homologimit të veturave.

Apostolova tha se kjo bie ndesh me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, raporton KTV.

Ajo ka kërkuar nga deputetët e këtij komisioni që t’i bëjnë presion qeverisë ta shfuqizojë udhëzimin administrativ të vitit 2018, i cili i mundëson kompanisë së vetme për homologimin e veturave, EuroLab, zgjatjen e kontratës edhe për 10 vjet të tjerë.

Reklama e sponzorizuar

“Konkurrenca është një nga elementet themelore të tregut të lirë dhe është një fushë, ku Kosova duhet ta përmirësojë vetën, është temë e pashmangshme pasi sjell të mira. Çështjen e homologimit të veturave, zyra e BE-së e ka ngritur si çështje tash e disa vite. Ne kemi frikë se mund të ketë zgjatje të kontratës me operatorin ekonomik ‘EuroLab’. Qytetarët po paguajnë shumë shtrenjtë për këto procedura, të cilat janë më të lartat në rajon. Këto çmime nuk janë të sfiduara nga kompanitë e tjera”, ka thënë Apostolova.

Deputetët u pajtuan që kjo praktikë duhet të ndryshohet dhe të lejohet treg i lirë.

E polemika patën deputetja Hykmete Bajrami e Memli Krasniqi.

Apostolova ka thënë se ka qenë tek të gjithë akterët e përfshirë në këtë çështje rreth konkurrencës së lirë të tregut, por që thotë se nuk ka parë rezultat.

Andaj, ajo u tha deputetëve se është koha e fundit që të reagojnë dhe ta ndalin vazhdimin e monopolit për homologim.

“Kam qenë tek kryeministri, Ministri i Infrastrukturës, kam biseduar me të gjitha autoritetet e përfshira në këtë çështje, mirëpo deri më sot nuk kam parë ndonjë reagim. Kam ardhur të bisedoj me ju, pasi ju keni fuqi, ju përfaqësoni popullin e Kosovës, ju jeni ata që e mbikëqyrni punën e qeverisë, bashkohuni me ne dhe tani është momenti, pasi ju keni mundësi deri në korrik të ndaloni gjithë këtë, sepse njerëzit e Kosovës nuk e meritojnë këtë. Ne po kërkojmë që t’i bëni presion qeverisë që të marrë përgjegjësi për këtë dhe jam e bindur se ka mënyra për ta bërë këtë gjë”, ka thënë Apostolova.

Në fund të mbledhjes, deputetët vendosën që t’i shkruajnë letër ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe kryeministrit për t’i ngritur shqetësimet rreth udhëzimit administrativ dhe ta ftojnë Lekajn të martën në komision.

Përndryshe, nga viti 2008, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë “EuroLab” të bëjë homologimin e veturave, çmimi i të cilit është më i shtrenjti në rajon.