Auditori i Përgjithshëm nuk ka arritur të gjej dëshmi se si janë shpenzuar 815 mijë euro nga organizata “Ta Patrojmë Kosovën”, në aksionin e saj për pastrimin e vendit vitin e kaluar.
Në raportin e auditimit për Zyrën e Kryeministrit, Auditori konstaton se “nuk ekzistojnë dëshmi të përshtatshme dhe të mjaftueshme nëse ato janë shpenzuar në pajtim me procedurat dhe kërkesat ligjore”, përcjell Buletini Ekonomik.
“Për realizimin e këtij projekti janë anashkaluar procedurat për subvencionimin e OJQ-ve, siç janë të përcaktuara me Rregulloren nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit të OJQ-ve”, vlerëson Auditori.
Po ashtu, në raport thuhet se nuk ekziston kontratë në mes Zyrës së Kryeministrit dhe përfituesit të subvencionit OJQ-së “Ta pastrojmë Kosovën”, e cila do të përcaktonte përgjegjësitë dhe detyrimet e palëve në realizimin e këtij projekti.
“Nga plani i aktiviteteve shihet se MMPH duhej të merret me alokimin e mjeteve logjistike dhe financiare, ndërsa ZKM do të merrej vetëm me pjesën ceremoniale të organizimit, por në këtë rast ZKM ka kryer të gjitha pagesat”.
Shkelja tjetër ka të bëj me mënyrën sesi ishin kryer pagesat. Sipas Auditorit, pagesat ishin kryer vetëm në bazë të faturave të dorëzuara nga ana e OJQ-së përfituese. “Përveç faturave, ZKM nuk ka raporte financiare dhe narrative të dorëzuara nga ana e përfituesit për arsyetimin dhe përshkrimin e saktë të artikujve të faturuar dhe aktiviteteve të kryera në kuadër të këtij projekti”, thuhet tutje në raportin e Auditorit.
Koordinatori i Task Forcës nuk kishte raportuar në Qeveri për zbatimin e Planit operativ një herë në muaj, siç përcakton Vendimi i Qeverisë Nr. 03/58.
“Për shkak të mungesës së raporteve më sipër, ne nuk jemi në gjendje të konfirmojmë rregullsinë e shpenzimit të këtyre fondeve”.
Ndryshe, Qeveria me vendimin Nr. 03/58, pati themeluar një Task forcë për pastrimin e ambientit në Kosovë. Me Vendimin e Qeverisë Nr. 21/62, të datës 28.08.2018 është aprovuar plani i aktiviteteve me buxhet në lidhje me aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” për periudhën 15 shtator – 15 dhjetor 2018. Vlera e projektit ishte 815,035 euro. Në projekt përfshihet pastrimi i të gjitha komunave, eliminimi i afër 1000 deponive ilegale dhe pastrimi i mbeturinave në hapësirat publike. Për qëllime të këtij projekti, deri në fund të vitit 2018 janë kryer gjithsej pagesa në vlerë prej 806,838 euro. /Buletini Ekonomik/