Auditori: Z-Mobile e përfshirë në aktivitete ilegale përmes dukurisë ‘Sim to Sim’

Fenomeni i njohur si ‘Sim to Sim’ përmes të cilit Telekomit të Kosovës ndër vite i janë shkaktuar humbje milionëshe, është rikthyer edhe gjatë vitit 2018-të dhe në fillim të 2019-s.

Auditori i Përgjithshëm, me rastin e auditimit të pasqyrave financiare për Telekomin e Kosovës, ka gjetur se ky aktivitet ka pasur trend rritës sidomos muajve të fundit të vitit 2018.

 “Në tremujorin e parë të vitit 2019 ka arrit mesatarisht në 200 aktivitete të tilla në muaj”, vlerëson Auditori.

Reklama e sponzorizuar

Fenomeni ‘Sim to Sim’ është një aktivitet ilegal që qarkullon thirrje, duke anashkaluar Monacon, nëpërmjet vendosjes së Sim Kartelave në kompjuterë. 

Auditori ka bërë përgjegjës kryesor operatorin Z-Mobile për përfshirje masive në këtë aktvitet ilegal, duke e dëmtuar kështu miliona euro Telekomin.

“Nga rastet e identifikuara, 90% e numrave që kanë kryer aktivitete “Sim to Sim” i përkasin operatorit MVNO5( Z-Mobile)”, thotë Auditori.

Për më tepër, nga numrat e identifikuar që kanë kryer aktivitete “Sim to Sim” e që i takojnë operatorit Z-Mobile, Auditori thotë se rreth 7% e tyre nuk janë bllokuar me kohë gjë që iu ka mundësuar që këtë aktivitet ta përsërisin.

Ndërkohë, sipas Marrëveshjes për mbështetje ndërmjet PTK SH.A dhe Dardafon.net LL.C, konkretisht sipas nenit 9.4 Konkurenca ilegale, parashihet që: “Palët do të kooperojnë të luftojnë dukurinë e njohur si ‘SIM to SIM’. Për më tepër, Dardafon.net është në dijeni se nëse PTK detekton ndonjë aktivitet të dukurisë SIM to SIM, PTK rezervon të drejtën të bëjë shkyçjen e këtyre numrave.

Auditori shton se nëse kjo dukuri rezulton si ‘neglizhencë’ nga ana e Dardafon.net-it atëherë PTK rezervon të drejtën e ndërprerjes së Kontratës në tërësi sipas nenit 13.1”.

“Pavarësisht se kontrata ndërmjet “PTK-se dhe Dardafon.net (MVNO)” i obligon të dyja palët që të bashkëpunojnë në luftimin e dukurisë ‘Sim to Sim’, veprimet e të dyja palëve për trajtimin e çështjeve të raportuara lidhur me këtë dukuri kanë qenë të mangëta. Shkak për rritjen e numrit të incidenteve të këtij lloji sipas zyrtarëve të Telekomit është ndërrimi i prefiksit nga +377 në +383, mungesa e sistemeve për identifikimin e menjëhershëm të këtyre aktiviteteve si dhe mungesa e qasjes në sistemin e operatorit MVNO për bllokimin e këtyre numrave”, thuhet në raport.

Aktiviteti ilegal ‘Sim to Sim’ apo trafiku i anashkaluar ndikon në humbjen e të hyrave financiare të Kompanisë e gjithashtu edhe në cilësinë e shërbimeve. /Buletini Ekonomik/