FMN: Për tu ulur papunësia rritja ekonomike duhet ta ketë bazën tek prodhimi

Autoritetet kosovare duhet të avancojnë me ristrukturimin e ndërmarrjeve publike dhe përshpejtim të reformave në arsim, ka thënë Setphanie Elbe, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pas vizitës njëjavore në Kosovë.

Ajo në përmbyllje të kësaj vizite ka thënë se duhen forcuar sundimi i ligjit dhe mjedisi i biznesit, si dhe të avancohet me reformat e vonuara të veteranëve të luftës së UÇK-së për të liruar hapësirën në buxhet për shpenzime që nxisin rritje, shkruan sot Koha Ditore.

Eble ka shprehur shqetësimin për rritjen e çmimit të konsumit e cila, siç ka thënë, ka ndodhur si pasojë e taksës, duke ndikuar direkt në ekonomitë familjare.

Reklama e sponzorizuar

“ Rritja vazhdon të jetë e fuqishme, por nevojitet një rritje më e madhe e nxitur nga sektori privat dhe eksportet, për t’i ulur papunësinë e lartë dhe hendekun e gjerë të të ardhurave me vendet homologe”, ka thënë ajo.

Eble ka shprehur shqetësim për politikat qeveritare që mund t’i rrisin shpenzimet aktuale dhe të pengojnë zhvillimin e sektorit privat dhe të dobësojnë klimën e investimeve.

“Politikat duhet të përqendrohen në avancimin e reformave strukturore për të mbyllur hendeqet e konsiderueshme të kapitalit njerëzor dhe fizik, duke investuar në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, si dhe për të forcuar qeverisjen dhe mjedisin e biznesit”, ka thënë Eble.

Sfida kryesore për ekonominë e Kosovës, sipas Eble, është rritja më e lartë e nxitur nga sektori privat dhe eksportet.