Padyshim diaspora paraqet një burim të rëndësishëm të financimit të ekonomive familjare në Kosovë.
Gjermania është shteti nga ku kosovarët më së shumti dërgojnë pare, pastaj renditet Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dërgesa të diasporës.
Në pjesën e parë të vitit 2019, rritja e remitencave është për 4.5 për qind më e madhe se vitin 2018. Po ashtu, rritja e vlerës së dërgesave nga bashkatdhetarët në krahasim me vitin e kaluar është më e madhe.
“Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore shënuan vlerën prej 113 milionë euro deri në shkurt 2019, apo 4.5 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit 2018”, thuhet në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i parë 2019”, shkruan Telegrafi.
Remitencat e pranuara në Kosovë nga diaspora, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vijnë kryesisht nga Gjermania pasuar nga Zvicra, SHBA-ja, Italia, Austria, Franca dhe shtete të tjera.
“Remitencat që pranohen në Kosovë kryesisht vijnë nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat dërgohen 40.4 përkatësisht 21.7 për qind e gjithsej remitencave. Një pjesë e konsiderueshme e remitancave është pranuar edhe nga SHBA-të, gjegjësisht 6.7 për qind e gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë”, vijon raporti.
Për sa i përket pjesëmarrjes së remitencave, vendi ynë është ekonomia e katërt në rajonin e Evropës.
“Me 15.9 për qind, Kosova është ekonomia e katërt në rajonin Evropë dhe Azi Qendrore, për nga përqindja e pjesëmarrjes së remitancave në Prodhimin e Brendshëm Bruto për vitin 2018”, kjo është bërë e ditur në raportin për Migrim dhe Zhvillim të Bankës Botërore, shkruan Telegrafi.