Dy organizata jo-qeveritare kanë përfituar nga 10 mijë euro nga një vendim i ministres Dhurata Hoxha, i marrë në vitin 2018 pa e përfillur asnjë kërkesë ligjore, përcjell Buletini Ekonomik.
Ministria e Integrimit Evropian, të cilën e udhëheq Hoxha, kishte shpallur thirrje publike për mbështetje financiare publike, për projekte/programe të organizatave jo-qeveritare në fushën e integrimit evropian. Mirëpo, komisioni i vlerësimit, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion dhe numrit të madh të aplikuesve, kishte kërkuar që të anulohet ky proces.
“Pesë ditë më vonë, me vendim të Ministres dhe jashtë procedurave të kërkuara, ishin ndarë mjete për dy organizata jo qeveritare, veprimtaria e të cilave nuk ndërlidhet fare me Integrimin evropian në vlerë totale 20,000 euro (nga 10,000 euro për secilën)”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë ministri.
Po ashtu, asnjëra prej organizatave përfituese nuk kishte të bëj më aktivitete nga fusha e integrimit evropian. Rregullorja MF nr. 04/2017 Mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, neni 5.2, thekson se ofruesit e mbështetjes financiare mund të japin mbështetje financiare vetëm në fushën e veprimtarisë dhe përgjegjësive të tyre.
“Sipas zyrtarëve, kjo përkrahje ishte bërë për shkak të ndjeshmërisë së kategorisë shoqërore që mbulojnë këto dy OJQ (për fëmijët me sindromin DOË N dhe promovimin e të drejtave të grave), dhe nevojës së tyre për këto mjete”, thotë Auditori.
Sipas tij, dhënia e subvencioneve jashtë fushëveprimtarisë, dhe pa zbatuar kriteret dhe procedurat e kërkuara, përkundër faktit që kanë për qëllim solidarizimin dhe përkrahjen e një kategorie të ndjeshme të shoqërisë, rritë rrezikun që fondet për subvencione të ndahen në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me objektivat fillestare. /Buletini Ekonomik/