Rreth 250 mijë euro kanë përfituar tri OJQ nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, pa e plotësuar asnjë kriter të vendosur në konkursin për mbështetje të projekteve në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Auditorit të Përgjithshëm, asnjëra prej këtyre OJQ-ve, nuk kishte të bënte me teknologji dhe inovacion, por përfituan mijëra euro nga buxheti i shtetit.
“Po ashtu, projektet për të cilat kishin aplikuar, nuk ishin në përputhje me objektivat dhe aktivitetet e caktuara për financim të vendosura në thirrje. Fushë veprimtaritë dhe projektet kishin të bënin me edukimin shëndetësor dhe ngritja e nivelit profesional në fushën e shëndetësisë, sigurimi i shërbimeve humanitare, trajnimet lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe dhënien e këshillave ndaj bletarëve”, thuhet në raportin e Auditorit.
Në këto tri raste, për OJQ-të e përzgjedhura për financim, nuk ishin siguruar dëshmitë mbi CV-të dhe deklaratat për pjesëmarrje të personelit/ekspertëve të cilët aplikuesi ka deklaruar se do t`i angazhoj. Madje, në një rast, sipas Auditorit, OJQ nuk kishte siguruar tri referenca për projekte të suksesshme.
“Megjithatë, këto OJQ ishin përzgjedhur si përfitues nga komisioni i vlerësimit dhe vlera totale e financimit të tyre nga MIN ishte 244,840 euro”, thuhet në raportin e Auditorit. Kjo kishte ndodhur si rezultat i pakujdesisë së komisionit të vlerësimit, për t`i vlerësuar aplikacionet e OJQ-ve në pajtim me kërkesat e udhëzuesit.
“Pa kujdesitë gjatë vlerësimit të aplikacioneve për OJQ-të nga komisioni i vlerësimit, kanë rezultuar me ndarjen e subvencioneve jo në pajtim me kriteret e përcaktuara dhe objektivat e ministrisë. Kjo rritë rrezikun që fondet e destinuara për mbështetje të inovacionit dhe ndërmarrësisë, të përdoren për qëllime tjera dhe të mos arrijnë vlerën për para dhe objektivat e ministries”, konstaton Auditori. /Buletini Ekonomik/