Nuk votohet propozimi për heqjen e monopolit në homologim

Kuvendi i Kosovës

Kabineti qeveritar ka munguar në një tjetër seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Ndërmjet vete, deputetët kanë diskutuar me kërkesë të Vetëvendosjes, për monopolin në homologim, raporton KTV.

Opozita ka kërkuar shfuqizimin e Udhëzimit administrativ, e partitë në pushtet kanë thënë që problemi qëndron te Ligji për Automjetet, i miratuar në qeverisjen e kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Deputetët e kanë përmendur disa herë kompaninë e vetme që ofron shërbimin e homologimit, duke dalë fuqishëm kundër kësaj.

Përmendja e ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, ka hapur debat të ri mes Vetëvendosjes dhe NISMA-s.

Pyetje ka pasur edhe për ministrin e Infrastrukturës në mandatin e kaluar, Lutfi Zharku.

Në mungesë kuorumi, me ç’rast në sallë nuk ishin as shumë deputetë të partive opozitare, nuk ka arritur të votohet propozim vendimi për shfuqizimin e udhëzimit administrativ.

Seanca e së premtes shërbeu edhe për përplasje në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ekipin Negociator, me NISMA-n që e akuzoi LDK-në e Vetëvendosjen se e kanë fuqizuar rolin e Presidentit Thaçi në proces.