Produktet e Kosovës në tregjet evropiane

Jo shumë biznese nga Kosova arritën që përmes lehtësirave që krijoi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) të depërtojnë në tregun e gjerë të Bashkimit Evropian. Afaristë nga Kosova thonë se konkurrimi i produkteve nga Kosova me produktet e shteteve të zhvilluara, nuk është proces i lehtë.

MSA-ja, si marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016. Kjo marrëveshje u hapi rrugë bizneseve të Kosovës, në veçanti atyre prodhuese për pjesëmarrje aktive në tregun prej 500 milionë banorësh.

Reklama e sponzorizuar

Disa nga bizneset prodhuese në Kosovë, të cilat veçse ishin të pranishme në tregun evropian edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje arritën të zgjerohen edhe në tregjet e vendeve tjera të Bashkimit Evropian, e disa vazhdojnë të ruajnë vetëm tregjet që i kishin para MSA-së.

Teuta Kurshumlija, menaxhere e shitjes në kompaninë ‘Stone Castle’ në Rahovec, kompani kjo e cila merret me prodhimin e rrushit dhe pijeve alkoolike, thotë për Radion Evropa e Lirë se MSA-ja nuk ka pasur ndonjë efekt të madh në shtrirjen e tyre në tregjet evropiane.

Ajo tregon për një konkurrencë të madhe në tregun evropian dhe vështirësitë e depërtimit në këtë treg.

“Ne kemi eksportuar në tregun e BE-së edhe para MSA-së, si në Kroaci, Zvicër dhe Gjermani, po ashtu në tregun e Anglisë kemi qenë në një kohë, eksportojmë edhe në Norvegji dhe jemi në diskutim e sipër për në Finlandë. MSA-ja nuk është se ka pasur ndonjë efekt në rritjen e eksportit. Bashkimi Evropian do të duhej të ndihmonte Kosovën në promovimin e produkteve në emër të Kosovës, pasi që si Kosovë, nuk jemi të njohur aq shumë për prodhim, duhet një kampanjë më e madhe”.