Punësimet partiake në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë përplasur të parin e kësaj ministrie dhe deputeten e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, e cila ka akuzuar ministrin se e ka shkatërruar arsimin në vend.
Deputetja Haxhiu ka përmendur emrat e disa personave që sipas saj janë të afërm të ministrit Bytyqi e që janë punësuar në dikasterin që ai e udhëheq.
“Ju ftoj që as të mos talleni me deputetët e Kuvendit dhe as mos të talleni me qytetarët e Kosovës. Pse po e them kështu, prej që keni ardhur në krye të ministrisë së Arsimit e keni shndërruar ministrinë e Arsimit në çerdhe të militantëve partiak dhe për këtë flasin të gjithë. Në anën tjetër e keni shkatërruar sistemin arsimor në Republikën e Kosovës dhe z.ministër mos të shkon mendja as ty e as deputetëve të partisë tënde me u krahasua me Vetëvendosjen. Nuk mundeni me na shti në të njëjtin thes, më vjen keq, ndonëse mundoheni me propaganda të llojit më të ulët të bëni ngjashmëri ndërmjet LVV-së dh juve e keni shumë gabim, se qytetarët e dinë se kush është LVV dhe kush është partia juaj. Po lypni emra, kush janë personat të cilat ju i paskët punësuar si militantë të Nismës, kush është Pajtim Kleçka, Arianit Krasniqi, Valdete Prebeza, Shkurte Gashi, Valdete Gashi, kush është Beslinda Hoxha është mbesa juaj, kush është Milot Hyseni është djali i motrës së bashkëshortes tënde, kush është Lavdim Rizani, Dion Bytyqi, Veton Kastrati, lista është e gjatë z.ministër”, tha ajo, transmeton ksp.
Ajo tha se po të kishte prokurori të pavarur ministri Bytyqi nuk do të ishte këtu.
Deputetja Haxhiu ka pyetur ministrin se a e din se cka do të thotë për një shtet të shkatërrosh arsimin, ajo tha se meqë nuk janë të vetëdijshme tallen me deputetët, por që ajo tha se do t’i nxjerrin me fakte secilin skandal që e kanë bërë.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, i cili sugjeroi deputeten Haxhiu që të mos shërbehet me dezinformata, pasi sipas tij personat e përmendur nga ajo nuk janë të punësuar në MAShT.
“Edukimi dhe kultura ime nuk ma lejon që të tallem me askënd, edhe me personin me të vogël që është fëmija, nuk ma lejon kultura të tallem. Ndërsa qasja juaj nuk ia vlen as me u tallë, në formën se si po i drejtohesh një ministri. Megjithatë, mund të them mos u shërbe me dezinformata. Nëse je deputete, merr informata të sakta. Merr saktësisht se këta persona që i përmende si familjarë të mi, a janë të punësuar në MAShT. Unë e di që ne kemi pasur sulme të gjithanshme sepse kemi bërë veprime të cilat nuk janë bërë asnjëherë në sistemin arsimor dhe ne kemi qenë të vetëdijshëm që do të kemi sulme të tilla”, tha ai.
Në mbrojtje të ministrit Bytyqi ka dal edhe bashkëpartiaku i tij, Enver Hoti, i cili ka thënë se lista të tilla mund të marrin në secilin institucion ku udhëheq Vetëvendosja.
“Ne nuk jemi për të marrë listat sepse listat e tilla mund të marrin mjaftë në secilin institucion ku udhëheq edhe LVV edhe LDK dhe PDK, ku ka raste me i marrë ata militantë dhe me i punësua me kontrata të veçanta në emër të shërbimeve të veçanta, por nuk e kemi ndërmend të hyjmë në këtë lojë se na vije keq prej atyre njerëzve që edhe këta i kanë punësuar në mënyra të tilla. Por, edhe një herë po e ngriti çështjen është vendosur një drejtoreshë e cila nuk e ka ditur as ku është shkolla Sami Frashëri, ka marrë detyrë zyrtare për me përmirësua gjendjen dhe arsimin në kryeqendrën e Kosovës. A ka ndonjë arsye kjo çështje? Ndërsa për transparencë, pyetni ndonjë zëdhënës ose deputet që ka qenë në drejtorinë e parë të VV-së në Prishtinë”, tha ai.
Por, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, ka vazhduar me akuzat nga Nismës Socialdemokrate, ku ka akuzuar se edhe Malishevën që e udhëheqin e kanë shkatërruar me njerëz partiak dhe të padijshëm.
“Padyshim që nuk mund të flisni me letra sepse krejt këtë shpifje që e bëni, e bëni për qëllime të caktuara, dhe për këtë jemi në dijeni. Çka po dua me thënë me këtë është që logjikën e tillë, abuzive, përveç që e keni bërë me MAShT dhe ministritë tjera, e keni bërë edhe në Malishevë. A e dini çka keni bërë në Malishevë. Mua shpesh më bien me shkua në Malishevë, e keni shkatërru, i keni shkatërru shkollat në Malishevë me njerëz partiak dhe të padijshëm. Përveç që kanë qenë partiak dhe të padijshëm, pastaj, tendencën e njëjtë jeni munduar ta bëni edhe në Prizren, po s’ia keni dalë sepse iu janë anuluar disa konkurse. Prandaj, edhe njëherë ju ftoj që të ndalni këto abuzime me arsimin, sepse kjo qasje po i detyron të rinjtë tanë me e lëshua Kosovën”, tha ajo.
Pas këtij debati, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 15, ku më pastaj do të vazhdojë debati për gjendjen dhe vendimet e MAShT-it.