Pak kohë pasi partia opozitare, Vetëvendosje, alarmoi për planet e qeverisë për shpronësimin 55 milionësh në dalje të Prishtinës, ekzekutivi është zmbrapsur.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është anuluar vendimi i marrë më 28 maj për shpronësime që përfshinin objektin e Dukagjinit, në dalje të Prishtinës.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, u ka bërë thirrje ministrive të linjës që t’i arsyetojnë vendimet e tyre.
Në këtë mbledhje, qeveria gjithashtu ka emëruar drejtorët e bordeve të shtatë ndërmarrjeve publike, në mesin e tyre Postës së Kosovës dhe Ujësjellësit Rajonal Prishtina, por emrat e tyre nuk janë bërë publik.
Ata kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar pa asnjë votë kundër.
Ekzekutivi kosovar, në këtë mbledhje, gjithashtu ka aprovuar propozim-vendimin për vazhdimin e afatit për legalizimin e armëve deri më 17 shtator të këtij viti.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së martës, e ka proceduar në Kuvend projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për presidentin e vendit.