Rriten çmimet e konsumit, të importit e të prodhimit

Çmimet e ushqimeve, pijeve joalkoolike, pijeve alkoolike dhe duhani kanë shënuar rritje nga 3-6 për qind në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Sipas Raportit të Bankës Qendrore të Kosovës “Vlerësimi i zhvillimit makroekonomik”, indeksi i çmimit të konsumit ka shënuar normën e lartë të rritjes prej 3.2 për qind, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në rritjen e çmimeve të konsumit ka ndikuar edhe rritja e çmimeve të importit dhe atij të prodhimit gjatë kësaj periudhe, e cila është ndikuar edhe nga vendosja e taksës 100 për qind për produkte me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të BQK-së, çmimet e importit kishin pësuar rritje edhe në tremujorin e katërt të vitit që kemi lënë pas prej 3.9 për qind. Rritje më të madhe kishin pësuar produktet minerale dhe metaleve bazë, të cilët janë kategoritë kryesore të indeksit të çmimeve të importit në vlerë prej 20.7 për qind, përkatësisht 2 për qind, ndërsa çmimet e produkteve bimore si dhe çmimet e letrës dhe artikujve të saj shënuan rënie prej 8.6 për qind, përkatësisht 7.2 për qind.