Sa janë të sigurta paratë e depozituara në bankat e Kosovës?

Më shumë se 3,4 miliardë euro është vlera e kursimeve të qytetarëve në 10 bankat komerciale që veprojnë në Kosovë.

Por, një çështje që vazhdimisht zgjon kureshtjen dhe brengat e qytetarëve, mbetet siguria e këtyre depozitave në rast të likuidimit të ndonjërës nga bankat, kur zakonisht shtrohet dilema se si mund të kompensohen mjetet e deponuara.

Blerta Beqiri, qytetare nga Vushtrria thotë se nga puna që bën në institucionet publike ka arritur të kursejë një shumë të parave. Por, Blerta nuk ka informacione se çfarë mund të ndodhë në rast të mbylljes së ndonjërës nga bankat.

Reklama e sponzorizuar

“Në njërën nga bankat në Kosovë kam të kursyera një shumë të vogël të parave. Por, nuk e di a janë të sigurta apo a ka mundësi kompensimi në rast se ka probleme banka. Nuk e kam e menduar këtë”, tha Blerta.

Nga shuma e përgjithshme e kursimeve në bankat komerciale, mbi 2.3 miliardë euro janë kursime të ekonomive familjare, kurse 853 milionë euro janë depozita të ndërmarrjeve.

Përgjegjës për sigurimin e kursimeve në Kosovë është Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë. Ky fond, që është krijuar në vitin 2011, ka për qëllim të mbrojë depozitorët e vegjël nga humbja në rastin e revokimit të licencës dhe mbyllja e një banke.

Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë ka për qëllim të sigurojë depozitat e personave fizikë dhe juridikë në çdo institucion anëtar dhe të kompensojë depozitorët e siguruar deri në limitin e sigurimit brenda 30 ditëve në rast të falimentimit të një banke, sipas kritereve të përcaktuara në ligjet për sigurimin e depozitave.

Aktualisht, depozituesit janë të siguruar për secilën bankë anëtare të këtij Fondi, deri në shumën maksimale të kompensimit prej pesë mijë eurosh.

Në raportin vjetor të vitit 2018 të këtij Fondi, thuhet se “shuma e përgjithshme e depozitave gjatë vitit të kaluar ka arritur në 3.3 miliardë euro, ndërsa totali i depozitave të siguruara prej 5 mijë euro ishte 759 milionë euro”.

Rrjedhimisht, thuhet se “Fondi i Sigurimit të Depozitave ka arritur 38.5 milionë euro pas marrjes së primeve tremujore të paguara nga bankat anëtare, duke qenë burimi kryesor i financimit” .

Në anën tjetër, ekspertë për çështje financiare vlerësojnë se bankat që operojnë në Kosovë janë të sigurta, kështu që nuk paraqitet ndonjë rrezik për sigurinë e mjeteve të qytetarëve, të cilët kanë arritur të kursejnë.

Megjithatë, ata pohojnë e limiti i rimbursimit prej 5 mijë eurosh, në rast se banka nuk është në gjendje t’i përmbushë obligimet e saj financiare, është shumë i ulët.

Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se shuma e kompensimit për depozita në vendet e Ballkanit Perëndimor është tre-katër fish më e lartë se në Kosovë.

“Përderisa në Kosovë një depozitor është i siguruar me 5 mijë euro, në vendet e Ballkanit e Perëndimor, ka shtete që sigurim të depozitave kanë deri në 20 mijë euro. Kështu që është një ndryshim i madh. Dhe kjo nuk i krijon komoditetet të mjaftueshëm depozitorëve dhe klientëve të bankave”, tha Keqa për Radion Evropa e Lirë.

Sistem për sigurimin e depozitave është i detyrueshëm për të gjithë institucionet financiare që pranojnë depozita, aktualisht bankat, të licencuara nga BQK-ja për të pranuar depozita, me përjashtim të degëve të huaja që në vendet e origjinës kanë limit më lartë të sigurimit të depozitave, sa ajo që ofrohet nga Fondi i Sigurimit të Depozitave të Kosovës.

Ndryshe, përfaqësues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ekspertë për çështje financiare, vazhdimisht kanë pohuar se sistemi financiar është sigurt, i qëndrueshëm dhe mirë i kapitalizuar. /REL/