“Ta pastrojmë Kosovën” nënshkroi me Qeverinë dy marrëveshje për aktivitete të njëjta

Organizata “Ta Pastrojmë Kosovën” vitin e kaluar kishte nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Kosovës në vlerë prej 815 mijë euro për realizimin e aksionit për pastrimin e vendit.

Auditori Gjeneral në raportin për Zyrën e Kryeministrit hedhi dyshime të forta për mënyrën se si janë shpenzuar këto mjete.

“Për realizimin e këtij projekti janë anashkaluar procedurat për subvencionimin e OJQ-ve, siç janë të përcaktuara me Rregulloren nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit të OJQ-ve”, vlerëson Auditori.

Reklama e sponzorizuar

Por kjo nuk është e tëra. E njëjta organizatë, ka nënshkruar me Qeverinë edhe një marrëveshje tjetër në fund të vitit 2018, e që për qëllim ka pasur po ashtu pastrimin e hapësirave publike. Marrëveshja e dytë kap shifrën e 30 mijë eurove.

Auditori në raport këto dy marrëveshje i cilëson si marrëveshje për aktivitete të njëjta, duke ngritur dyshime për mënyrën se si erdhi deri tek marrëveshja e dytë.

“Përveç projektit ta pastrojmë Kosovën, e njëjta OJQ më datën 18.10.2018 kishte nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 30,000 euro me Zyrën për Çështje të Komuniteteve (ZÇK) sipas procedurave për thirrje publike ”Mbrojtja dhe Promovimi i të drejtave dhe interesave të Komuniteteve” për projektin me aktivitetet e njëjta me projektin “Ta pastrojmë Kosovën”, eliminimin e deponive ilegale dhe mbeturinave në hapësirat publike”, thuhet në raportin e Auditorit.

Vetëm pas diskutimit të këtij problemi,  Auditori thotë se me datën 20.05.2019 “kemi pranuar dëshmi mbi njoftimin së është marr vendimi për shkëputje të një anshme të kontratës”. /Buletini Ekonomik/