Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Telekomi i Kosovës që të bëjë publik, pa vonesë, vendimin e bordit për mosvazhdimin e kontratës me Z-Mobile.
“U bënë dy ditë nga deklarimet publike të Kryeshefit Ekzekutiv dhe Kryeministrit Haradinaj se kjo kontratë nuk do të vazhdohet pas 30 korrikut mirëpo ende nuk është bërë publike letra që i është drejtuar Z-Mobile. Ajo duhet të bëhet publike menjëherë”, thotë Vetëvendosje përmes një komunikate për media.
Më tutje në komunikatë Vetëvendosje thotë se, “asnjë fjalë nuk u tha se çfarë do të bëhet me borxhin abuziv që pretendon Z-Mobile, prej 26 milionësh”.
Vetëvendosje thotë se çfarëdo tendence për të lidhur marrëveshje të re me Z-Mobile do të kundërshtohet fuqishëm.
“Çdo bisedim dhe marrje vesh me Z-Mobile/Devollin që llogarit në marrëveshje ku ia zhvat edhe 26 milionë të tjera Telekomit, punëtorëve dhe publikut si dhe çfarëdo tendence për të lidhur marrëveshje të re me Z-Mobile, nuk do të pranohet dhe do të kundërshtohet fuqishëm. Menaxhmenti sa më parë duhet të fillojë të bëjë gati kalkulimin e dëmit nga marrëveshja 10 vjeçare me Z-Mobile dhe kërkimin e dëmshpërblimit në gjykatë”, thuhet në komunikatë.