Zyra e Kryeministrit punëson 94 persona për një vit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar të dhëna nga raporti financiar i qeverisë për vitin 2018.

Ai ka përmendur dështime të qeverisë Haradinaj në nivel qendror dhe qeverisë Ahmeti në Komunën e Prishtinës. Hoti thotë se Qeveria e udhëhequr nga koalicioni PAN, gjatë vitit 2018, ndër të tjerash, ka punësuar 1,245 persona me shërbime të “veçanta”, prej të cilëve, 94 në Zyrën e Kryeministrit, transmeton KTV.

Hoti tha se Qeveria ka paguar 20,3 milionë euro për vendime gjyqësore, si dhe ka rritur detyrimet kontingjente ndaj palëve në vlerë prej 196 milionë euro. Komuna e Prishtinës, sipas Hotit, qëndron më së keqi në nivelin lokal. Qeverisja e Ahmetit, sipas tij, më 2018, planifikoi 38 milionë euro për investime kapitale, por nga to i tepruan 57% e mjeteve apo 23,3 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

“Edhe pse janë dyfishuar faturat e tatimit në pronë në pjesën qendrore të qytetit dhe po ndërtohen banesa të reja në lagje rreth Prishtinës, në Mat në veçanti, të hyrat nga tatimi në pronë kanë shënuar rënie”, ka shkruar Hoti.