Auditori identifikon 45 veta të punësuar pa konkurs në komunën e Pejës

Edhe sivjet Komunës së Pejës i janë adresuar një mori vërejtjesh nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) bazuar në gjetjen e auditimit të kryer vitin e kaluar të Pasqyrës Financiare Vjetore të kësaj komune.

Në mesin e gjetjeve nga Zyra e Auditimit, që janë përfshirë në raportin e saj me 17 rekomandimet e ngritura që komuna duhet t’i zbatojë, është edhe mangësia në menaxhimin e angazhimit përmes kontratave të përkohshme. Konkretisht Komuna e Pejës gjatë vitit 2018 kishte të angazhuar 51 punonjës, prej të cilëve 6 janë angazhuar me Ligjin e Punës dhe 45 prej tyre me marrëveshje për shërbime të veçanta bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil, shkruan sot Koha Ditore.

Auditori ka gjetur se në 45 rastet e angazhimeve për shërbime të veçanta ishin bërë pa ndonjë procedurë të thjeshtuar të rekrutimit, pavarësisht që Ligji për Shërbimin Civil përcakton se emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj duhet bërë me procedura të thjeshtuara të rekrutimit.

Reklama e sponzorizuar