Kryeministri Ramush Haradinaj i është përgjigjur Ministrit Abelard Tahiri dhe deputetit të Nismës, Zafir Berishës lidhur me deklarimet e tyre për Autostradën e Dukagjinit. Gjithë kjo meqenëse PDK’ja dhe Nisma po e kundërshtojnë ndërtimin e kësaj autostrade, raporton Express.
Haradinaj ka thënë se kjo autostradë është në interes të gjithë Kosovës, e jo vetëm Dukagjinit. Për paralajmërimet e Berishës se me këtë autostrde rrezikohet Qeveria, Haradinaj ka thënë se kurdo që parlamenti merr vendim që vendi të shkojë në zgjedhje është e arritur e Kosovës.
“Zgjedhjet janë demokraci, janë të shëndetshme. Kurdo që vijnë që parlamenti merr vendim me qu vendin në zgjedhje, mendoj që është e arritur e Kosovës. Ai (Zafiri) ka të drejtë kur thotë se rruga ekzistruese duhet me u zgjeru. Por, një rrugë ekzistuese nuk e ka funksionin e një rruge të zgjeruar, pra funksionin e autorrugës. Janë funksione të ndara, pra dallojnë. Nëse bëhet tani autorruga, mbetet traseja, sepse trasetë mbetën edhe për 50 ose 100 vjet”, ka thënë Haradinaj.
I pari i Qeverisë ka thënë se autostrada ka vlerë tjetër dhe se ndërtimi i saj është në interes të Kosovës. Ka thënë se nuk e përkrah një çmim të shtrenjtë të autostradës dhe ndonjë dallaver që mund të bëhet me shpronësime. Thotë se të gjithë ata që bëjnë dallavere do të shkojnë në burg.
“Për mu autostrada është jetike për atë zonë. Janë qindra mijëra banorë, pra është e popullume shumë ajo zonë, nëse e merr prej Peja, Deqan, Gjakovë, Rahovec e deri atje. Shkoni në atë zonë, edhe e shihni sa është e ngarkume. Ajo rrugë, çdo kalkulim që është ekonomike , duke qenë kështu unë e përkrahi autostradën. Autostrada është interes i Kosovës, jo i Dukagjinit”, ka thënë Haradinaj në konferencën për media.
Ndryshe, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha ka thënë se autostrada e Dukagjinit mund të jetë pikë e cila e ndan partinë e tij me AAK-në.
Berisha ka thënë se ideja e ndërtimit të autostradës e cila po proklamohet, është e gabuar.
Ai thotë se duhet të jetë një autostradë e tipit të hapur, pasi që thekson se shumë biznese janë në atë rrugë dhe me lëvizjen e trasesë shumë prej tyre do të falimentojnë. Ai ka thënë se tipin e mbyllur të autostradës do ta kundërshtojnë edhe në Kuvend.
“Ky është projekt që kushton mbi 1 miliard euro dhe si i tillë duhet të analizohet”, thotë ai.
Ai ka thënë se autostrada mund të jetë pikë kyçe e cila i ndan me AAK-në.
“Edhe me u rreziku Qeveria nuk bëhet nami, me rëndësi është të shpëtohet shteti. Ne duhet të mendojmë për qytetarët. Kemi prioritete të tjera për të cilat mendoj që edhe kryeministri edhe të gjithë e dinë”, thotë ai.
Ai thotë se Qeveria nuk duhet të ngulë këmbë për të ndërtuar një autostradë e cila, sipas tij, nuk është edhe aq e nevojshme.
Edhe Ministri i Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se ndërtimi i kësaj autostrade është i panevojshëm./Gazeta Express